Pak ditë më parë, Shpella e Squfurit në Leskovik u kthye në kryefjalën e mediave botërore për një zbulim të jashtëzakonshëm shkencor: rrjetën më të madhe të merimangave në botë. Pikërisht në këtë shpellë që hyrjen e ka nga Greqia, por foleja e insekteve është krijuar në territorin shqiptar, ekziston një bashkëjetesë e rrallë e dy llojeve të ndryshme merimangash.

Janë mbi 111 mijë merimanga që kanë pësuar edhe ndryshime të rëndësishme gjenetike në krahasim me llojet e tjera që jetojnë jashtë shpellës. Ato kanë krijuar përshtatshmëri ushqimore, ka ndryshuar flora e zorrëve të tyre, rrjetat janë të mbivendosura me njëra-tjetrën në disa shtresa.

Biologia Anila Hila shpjegon në programin “Rudina” në Tv Klan se ajo që shton misterin e këtij zbulimi është habitati. Një shpellë squfuri që krijon kushte të vështira mbijetese, por ato e kanë gjetur rrugën.

Anila Hila: Këtu kemi të bëjmë me një kusht të vështirë që edhe pse ndodhet aty sepse gjallesat jetojnë edhe në kushte të vështira, ato mbijetojnë, por për të dyja merimangat jo se kanë një marëdhënie direkt me squfurin. Njerëzit kur e shohin thonë obobo, aty ka squfur, si ka mundësi? Në të vërtetë është më e thellë marrëdhënia sepse në këtë ekosistem kemi gjallesa të ndryshme. Aty  bëjnë pjesë miza, insekte të ndryshme dhe merimangat nuk e kanë kontaktin direkt me gjallesat e tjera.

Shkencëtarët po i studiojnë merimangat në nivel gjenetik. Biologia thotë se këtu qëndron edhe rëndësia pasi është një provë që jeta mund të ekzistojë kudo.

Anila Hila: Jetë ka edhe brenda këtyre ekosistemeve, nuk ka jetë vetëm në habitate ku kemi dritë dhe ndodh procesi i fotosintezës dhe kemi bimë sepse edhe këtu ka jetë, edhe këtu gjallesat jetojnë, atëherë si jetojnë? Këto gjallesa krijojnë lidhje ose zinxhirë ushqimorë që krijohen edhe në tokë, edhe në mjedise ujore, kjo është jashtëzakonisht e madhe dhe shumë e rëndësishme. Këto gjallesa krijojnë lidhje me njëra-tjetrën, ne kemi prodhues, ndoshta nuk kemi bimë, por kemi mbetje të mikrobeve që kapin pikërisht squfurin dhe përftojnë lëndën organike. Kjo lëndë organike është hallka e parë, pra quhet prodhues, kjo u jep ushqim insekteve dhe insektet shërbejnë si ushqim për merimangat. Është cikli i krijuar dhe jashtëzakonisht i rrallë.

/tvklan.al