Arien Stojanoviç Ivkoviç, është një mjeke kroate që jeton në Beograd me bashkëshortin e saj serb dhe vajzën e tyre trevjeçare. Javën e kaluar asaj ju dha 7 ditë kohë nga autoritetet serbe të largohej nga vendi me arsyetimin se ishte një kërcënim për sigurinë.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters ajo shpjegon se si e mori vesh lajmin.
“Policia nuk më shpjegoi asgjë më tej, por vetëm më komunikuan vendimin për dëbimin, domethënë e vendosën në tavolinë para meje dhe më thanë: “Ja, lexo në këtë paragraf dhe lexova: “Rrezik i papranueshëm për sigurinë e Republikës së Serbisë dhe qytetarëve të saj.” Reagimi im i parë ishte mosbesimi, por unë në fakt fillova të qeshja me ta”.
Ajo tha se e vetmja gjë që mendon se pse ajo është shpallur si një kërcënim për sigurinë pas 12 vitesh jetese në Serbi ishte mbështetja e saj për protestat e udhëhequra nga studentët për tragjedinë e Novi Sadit .
“Pra, as vetë policët nuk dinin të shpjegonin se çfarë do të thoshte, kështu që më pyetën: “Çfarë bëre dhe cila ishte arsyeja e një vendimi të tillë, a keni ndonjë kallëzim penal, a jeni në ndjekje penale?”, u thashë “jo, nuk kam asnjë gjobë parkimi, e lëre më diçka tjetër . Dhe më pas, gjatë marrjes në pyetjeje, thashë se vetëm një gjë që më vjen në mendje që mund të ketë qenë shkaku i vendimit dhe ka të bëjë me mbështetjen time për studentët dhe fakti që isha kundër hyrjes së Vuçiç në repartin e kujdesit intensiv ku trajtoheshin të prekurit nga zjarri në klubin e natës në Maqedoninë e Veriut. Kjo mendoj është arsyeja e të vërtetë, të paktën kështu mund të hamendësoj, sepse nuk kemi marrë asnjë shpjegim.”
Arien Stojanoviç Ivkoviç është një nga rreth 20 shtetasit kroatë që janë urdhëruar të largohen nga Serbia në tre muajt e fundit, sipas të dhënave të ambasadës kroate. Dhjetëra të tjerëve u është refuzuar hyrja në kufi.
“Nuk më duket se unë përbëj kërcënim për sigurinë e vendit, kjo është qesharake dhe tronditëse për mua, sepse në fillim, as që e kuptove se çfarë do të thoshte. Pas disa ditësh, bëhesh gjithnjë e më e vetëdijshme se duhet të sistemosh jetën brenda shtatë ditëve, dhe kjo nuk është e mundur, thjesht nuk është e realizueshme.”
Ajo ka bërë një ankesë dhe shpreson se do të lejohet të qëndrojë me familjen e saj.
“Jam e inatosur, sepse nuk mendoj se e kemi merituar këtë si familje, por gjithsesi jam pozitive dhe me të vërtetë pres që institucionet përkatëse të bëjnë punën e tyre. Kjo është gjithçka që mund të them.”
Ivkoviç mbaroi Fakultetin e Mjekësisë në Beograd, gjeti punë, u martua, u bë nënë dhe gjatë kësaj kohe nuk ka pasur asnjë problem me qëndrimin e saj në Serbi. Ajo thotë se ky vendim ka pasoja tek vajza e tyre.
“Gjëja e parë që duhet të bëjmë është të pyesim vajzën me kë do të rri. Kjo është e pamundur në këtë situatë, ajo është një fëmijë 3 vjeç që është shumë e lidhur si me mua ashtu edhe me burrin tim. Së dyti, përveç ndarjes së familjes, në njëfarë mënyre po e detyroni një shtetas të Republikës së Serbisë të largohet nga vendi i tij në mënyrë të jetojë me familjen e tij . Pak njerëz flasin për këtë, por nuk është vetëm çështja ime, është edhe çështja e burrit tim, i cili ka një nënë këtu, një vëlla.”
Me tronditje e ka pritur vendimin edhe bashkëshorti i saj.
“Kur ajo ma tregoi këtë vendim, sinqerisht, isha në shok, mendova se ishte e pamundur që ajo që më thoshte po ndodhte me të vërtetë. Lexova vendimin dhe e pyeta se çfarë do të bënim . Fillova menjëherë të mendoja se çfarë do të bënim me fëmijën, ajo mund të qëndrojë këtu për pak kohë, dhe pastaj për pak kohë në Kroaci por unë s’mund të largohem brenda një jave, është e pamundur.”
Qeveria kroate ka protestuar kundër një vale dëbimesh të qytetarëve të saj nga Serbia, ku qeveria e presidentit populist Aleksandër Vuçiç po përballet me protesta masive kundër korrupsionit që kanë tronditur qeverinë e tij.
Dhjetëra shtetas të huaj, duke përfshirë 15 kroatë, janë dëbuar nga Serbia në muajt e fundit ose janë ndaluar hyrjet ,për shkak të rrezikut të sigurisë për vendin.
“Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për faktin se, gjatë tri ditëve të javës së kaluar kemi pasur pesë situata të dëbimit për shkak të të ashtuquajturit rrezik sigurie që paraqesin këta shtetas. Në tre muajt e fundit kemi pasur gati njëzet raste të tilla, që disa dhjetëra shtetas të Republikës së Kroacisë janë ndalur në kufi dhe iu është ndaluar hyrja në Serbi për një vit”, tha ambasadori i Kroacisë në Serbi.
Pala kroate thotë se kjo situatë po ndodh vetëm me shtetasit e saj.
“Kjo është diçka që na shqetëson thellësisht, pasi kemi pasur një takim në Delegacionin e BE-së dhe i pyetëm të gjithë ambasadorët e BE-së nëse kanë ndonjë rast të ngjashëm dhe askush nuk ka, përveç Kroacisë”, shtoi ai.
Kroacia i ka dërguar një notë proteste Beogradit dhe ka informuar Bashkimin Evropian për dëbimet.
“Ne kemi dërguar një notë zyrtare, duke kërkuar shpjegim dhe arsyetim. Ajo notë është dërguar disa ditë më parë dhe ende nuk kemi përgjigje. Kam frikë se do të përsëritet rasti kur ku kemi kërkuar shpjegime në situata të ngjashme, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, përfundoi ai.
Qeveria gjithnjë e më autoritare e Vuçiçit ka rritur presionin ndaj kritikëve dhe mediave të pavarura, ndërkohë që po përpiqet të shuajë protestat kundër korrupsionit të shkaktuara nga shembja e tendës në veri të vendit që vrau 16 njerëz.
Policia serbe ka arrestuar dhe marrë në pyetje disa studentë , kritikë të qeverisë dhe madje edhe pedagoge , ndërsa grupet mbikëqyrëse të mediave kanë paralajmëruar për sulme dhe kërcënime kundër gazetarëve që mbulojnë protestat.
Vuçiç dhe aleatët e tij kanë thënë se shërbime të paidentifikuara të inteligjencës perëndimore qëndronin pas protestave të udhëhequra nga studentët me qëllim që ta rrëzonin atë nga pushteti duke organizuar të ashtuquajturin “revolucion me ngjyra”.
Vuçiç është një ish-nacionalist ekstrem, i cili thotë se dëshiron që Serbia të anëtarësohet në BE, por është përballur me akuzat për shtypje të lirive themelore , ndërsa ruan marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe Kinën.
Klan News