Shoqata: Problem me kodet si janë regjistruar bizneset

Vetëm 15% e punonjësve të pezulluar ose pushuar nga puna në sektorin e turizmit, kanë arritur të marrin ndihmën financiare prej 40 mijë lekësh.

Zak Topuzi, kryetar i Shoqatës së Hoteleri Turizmit, thotë se problemi kryesor që ka penguar në kryerjen e aplikimeve pranë Tatimeve dhe refuzimit të kërkesave, lidhet me kodet ekonomike të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku operatorët rezultojnë dhe me aktivitete të tjera të lidhura, çka i skualifikon nga përfitimi i ndihmës.

Sektori i turizmit vazhdon të jetë më i prekuri nga pandemia e Covid-19. Zak Topuzi thotë se në total për sezonin e verës ky sektor punëson 43 mijë persona, gjysma e të cilëve pritet të nisin punën këtë javë, nëse do të ishim në normalitet.

Kompanitë në fushën e turizmit presin miratimin e vendimit të Këshillit të Ministrave, i cili do të bëjë të zbatueshme garancinë sovrane për dhënien e kredive të buta për likuidetet jo vetëm në dhënien e pagave, por dhe të shlyerjes së detyrimeve që kanë me firmat që kanë rezervuar, por pas anulimeve kërkojnë kthimin e parave.

Sipas Drejtorisë së Tatimeve deri tani nga sektori i turizmit kanë aplikuar 4,395 punonjës për të marrë pagën 40 mijë lekë, 1,520 prej të cilëve e kanë marrë shumën dhe 165 janë refuzuar. Pjesa e mbetur janë në proces shqyrtimi, procedurë e cila ka marrë më shumë kohë pasi më parë duhet ndryshimi i kodeve të aktivitetit ekonomike. Në total paketa e zgjeruar e qeverisë trajton me pagë mbi 10 punonjës të këtij sektori.

Tv Klan