15 efektivë të Policisë së Shtetit dhe katër protestues morën ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pas lëndimeve të pësuara gjatë protestës së zhvilluar para Parlamentit. Policët e lënduar u vizituan nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Ministri Lamallari deklaroi se autorët e sulmeve ndaj punonjësve të policisë janë identifikuar dhe do të përballen me drejtësinë.
Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, vizitoi për herë të dytë Spitalin e Traumës për t’u interesuar për gjendjen shëndetësore të efektivëve të lënduar. Ai garantoi mbështetjen e plotë të institucionit që drejton dhe vlerësoi profesionalizmin, sakrificën dhe angazhimin e çdo punonjësi të Policisë së Shtetit në mbrojtje të rendit dhe sigurisë publike.
Hita theksoi se efektivët e Policisë së Shtetit do të vijojnë të ushtrojnë detyrën me profesionalizëm dhe vendosmëri, në zbatim të ligjit dhe në shërbim të qytetarëve, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 