Tuneli me pagesë, fluksi i makinave do të arrijë në 7 mijë/ditë

Projekti i ndërtimit të Tunelit të Llogarasë planifikohet që të kapë një vlerë prej 150 milionë eurosh. Qeveria është duke planifikuar këtë fond në rishikimin e buxhetit të këtij viti dhe planit buxhetor afatmesëm, ndërsa vlera e saktë do të vendoset pasi të përfundojë studimi i plotë i fizibilitetit dhe punimeve të detajuara inxhinierike.

Gjatësia totale e tunelit do të jetë 5.7-6 kilometra, ku pika hyrëse e tij është 500 metra larg Urës së Elizës që është po ashtu përfundimi i autostradës Orikum-Dukat, ndërsa pika dalëse është 1.4 kilometra larg Urës së Palasës, por distanca mund të ndryshojë pas përfundimit të plotë të studimit inxhiniereik të veprës.

Tuneli do të ketë dy korsi në secilin krah të tij, njëri me gjerësinë 3.5 metra dhe një korsi emergjence prej 1.25 metrash. Shpejtësia e lëvizjes së automjeteve do të jetë deri në 80 kilometra në orë, çka mundëson kalimin e Qafës së Llogarasë për 7 minuta.

Tuneli do të jetë me pagesë për automjetet që do ta përshkojnë atë, por do të jetë studimi i fizbilitetit ai që do të përcaktojë tarifën. Aktualisht mendohet që fluksi mesatar i automjeteve gjatë 6 muajve të sezonit pranverë dhe verë të arrijë në 7 mijë makina në ditë.

Pritet që tenderimi i projektit të nisë me 29 Dhjetor dhe fillimi i punimeve të nisë në fillim të vitit të ardhshëm.

Tv Klan