Ministria e Brendshme ka publikuar listën zyrtare prej 16 kandidatësh, në konkursin për zgjedhjen e drejtorit të ri të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pas dorëheqjes nga detyra e Ilir Prodës.

Mes emrave të aplikantëve bie në sy oficeri karrierës, njëherazi ish-drejtor i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, aktualisht pjesë e Akademisë së Sigurisë.

Krahas tij nuk mungojnë as drejtues aktualë të policisë në qarqe, teksa risi për garën është aplikimi i dy grave jashtë radhëve të uniformave blu.

Bëhet fjalë për Ejona Gurabardhin dhe Suela Sulkajn, dy kandidate të cilat kanë shprehur interes për postin e rëndësishëm, ndonëse ligji për Policinë e Shtetit parashikon që pjesë e garës të jenë vetëm drejtues brenda radhëve të uniformave blu.

Me zyrtarizimin e emrave, brenda 10 ditësh komisioni i vlerësimit, i përbërë nga një prej zv.ministrave të Brendshëm, sekretari i përgjithshëm i këtij institucioni dhe kreu i AMP, bëjnë skanimin e kandidatëve dhe dokumentacionit të tyre.

Më pas, aplikantët i nënshtrohen procesit të intervistimit me gojë, ku secili prej tyre paraqet programin e tij për drejtimin e Policisë së Shtetit.

Në këtë proces, secili kandidat vlerësohet me pikë nga komisioni dhe një nga emrat me vlerësimin më të lartë përzgjidhet nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.

Është ky i fundit që i propozon emrin kryeministrit Edi Rama, i cili jep vendimin përfundimtar.

Tv Klan

/tvklan.al