Ministria e Brendshme ka bërë publike këtë të enjte listën zyrtare të aplikantëve të cilët synojnë të drejtojnë Policinë e Shtetit.
Në total janë 16 kandidatë që kanë shprehur interesin për të marrë postin e lartë në Policinë e Shtetit me mandat 5-vjeçar.

Mes kandidatëve që kanë aplikuar është Tonin Vocaj, ish nr.1 i Policisë së Tiranës. Po ashtu ka aplikuar edhe Pëllumb Seferi, aktualisht drejtor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit. Një tjetër kandidat është drejtori i Policisë së Fierit, Skënder Hitaj, i cili gjatë karrierës së tij ka mbajtur poste drejtuese edhe në qarqet Shkodër dhe Dibër.

Po ashtu ka paraqitur kandidaturën edhe drejtori aktual i Policisë së Vlorës, Elidon Çela, dhe Idajet Faskaj, të cilët kanë shërbyer në disa dikastere të Policisë së Shtetit. Dokumentacionin e ka plotësuar edhe drejtori aktual i Policisë së Durrësit, Afrim Tafa.

Për të drejtuar Policinë e Shtetit ka shprehur interes edhe ish-drejtori i disa drejtorive vendore, Lorenc Panganika, aktualisht pranë Akademisë së Sigurisë. Pjesë është bërë edhe Gentian Shehaj. Gjithashtu kanë aplikuar edhe drejtori i Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, dhe Arjanit Arapi.

Mes 16 kandidatëve janë edhe dy gra: Suela Sulkaj dhe Ejona Gurbardhi, të cilat nuk janë pjesë e Policisë së Shtetit.

Brenda 10 ditëve, një Komision i Posaçëm i përbërë nga 3 persona, me kryetar një zëvendësministër të Brendshëm dhe 2 anëtarë, sekretarin e përgjithshëm të këtij dikasteri dhe kreun e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, do të kryejë vlerësim paraprak për verifikimin e kushteve ligjore.

Ilir Proda qëndroi në detyrën e kryepolicit për 17 muaj. Ai u largua pas protestës së 28 shkurtit, me argumentin se nuk arriti të garantonte rendin dhe sigurinë, pasi protestuesit e opozitës hodhën molotov në vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha, brenda së cilës gjendeshin disa artistë të huaj. Deri në zgjedhjen e drejtorit të ri, në detyrë është komanduar zëvendësdrejtori Sokol Bizhga.

Kandidatët për postin e drejtorit të Policisë:

  1. Tonin Vocaj
  2. Afrim Tafa
  3. Alfred Çepe
  4. Arjanit Arapi
  5. Ejona Gurbardhi
  6. Elidon Çela
  7. Gentian Berberi
  8. Gentjan Shehaj
  9. Idajet Faskaj
  10. Lorenc Panganika
  11. Neritan Nallbati
  12. Pëllumb Seferi
  13. Rebani Jaupi
  14. Saimir Boshnjaku
  15. Skënder Hita
  16. Suela Sulkaj

Klan News

/tvklan.al