Gjykata Penale e Tiranës shpalli vendimin për M. P., autorin e vrasjes së bashkëmoshatarit të tij, Martin Cani. Trupa gjykuese e sektorit vendosi dënimin me 16 vite burg.

“Besoj se ka nxjerrë një rreze drite për Martinin dhe Luizin. Dhimbja jonë është e pakrahasueshme sikur edhe burgim i përjetshëm të ishte”, tha babai i Martin Canit, Ëngjell Cani.

Ndërkohë avokati i familjes Redi Ramaj tha se vendimi i dhënë nga gjykata është i drejtë. Ai deklaroi se autori u dënua për vrasjen e Martin Canit dhe vrasje të mbetur në tentativë ndaj shokut të tij L.M. Bashkimi i dy vendimeve solli dënimin e tij përfundimtar me 16 vite burg.

“Nuk është çështje dënimi është çështje drejtësie, për të mbrojtur shumë të mitur që janë të rrezikuar çdo ditë në shkollat shqiptare. E kanë trajtuar me dinjitetin që i takonte kësaj ngjarjeje dhe të paktën shqiptarët sot kanë atë dritën e shpresës që në Shqipëri bëhet drejtësi”, tha avokati.

Ramaj tha se do të vlerësojnë vendimin e zbardhur për të menduar hapat e ardhshëm, kur u pyet nëse do të bëjnë ankimim.

“Siç e thashë parimisht, sot gjykata ka bërë drejtësi”, tha avokati Ramaj.

Kujtojmë se prokuroria kërkoi 25 vite burg për të, por sipas Kodit Penal për të mitur, ai nuk mund të dënohet më shumë se 12 vite.

Mbrojtja e autorit 14-vjeçar kishte kërkuar më 4 dhjetor në gjykatë rikualifikim të akuzës. Avokatët i thanë treshes së gjyqtarëve se ngjarja ka ndodhur për shkak të një tronditjeje dhe kërkuan që, nga vrasja në rrethana cilësuese, të gjykohej për vrasje në kushte të tronditjes së fortë psikologjike. Por kjo nuk u pranua nga gjykata.

Ngjarja që tronditi mbarë opinionin publik ndodhi më 18 nëntor 2024.

/tvklan.al