18 protestues janë vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se kanë kundërshtuar uniformat blu, si dhe kanë hedhur në drejtim të tyre molotovë e sende të forta gjatë tubimit të organizuar nga Partia Demokratike.

Mes të arrestuarve janë edhe 3 të mitur, të moshës 15, 16 dhe 17 vjeç. Ndërkohë janë proceduar penalisht 28 persona të tjerë pjesëmarrës në protestë, mes të cilëve edhe deputeti i PD, Klevis Balliu.

Ky i fundit, sipas uniformave blu, dyshohet se ka qenë mes organizatorëve të grupit të protestuesve që për policinë kanë kryer veprime të kundërligjshme.

Krahas arrestimeve dhe procedimeve, Policia e Tiranës tha se gjatë protestës së zhvilluar u sekuestruan çanta me 25 molotovë të pashpërthyer, si dhe 27 celularë.

Protesta e opozitës zgjati rreth tre orë, ndërsa për më shumë se një orë e gjysmë u shoqërua me tensione mes protestuesve dhe forcave të rendit. Policia tentoi disa herë të shpërndante turmën duke përdorur ujë dhe gaz lotsjellës, por protestuesit nuk u tërhoqën, duke iu kundërpërgjigjur me molotovë dhe mjete piroteknike. Nga përplasja mes tyre pati të lënduar vetëm nga radhët e protestuesve.

protestuesit e arrestuar, Policia e Tiranës, Partia Demokratike, Klevis Balliu, protesta opozitës, molotovë, të mitur, procedime penale, arrestime, Shqipëria, tensione protesta, gaz lotsjellës, tubim PD

Tv Klan

/tvklan.al