Policia në njoftim zyrtar thotë se shkak i kësaj vrasje është bërë një konflikt i çastit. Klan News mëson se Azgan Mërnica është konfliktuar me punonjësin e policisë Novruz Cenalia për shkak se kush kishte të drejtë të kalonte me makinë në rrugën e ngushtë të fshatit Baltëz.

Në sherr e sipër ai ka nxjerrë pistoletën duke e qëlluar me një plumb në kokë. Sipas drejtorit të Policisë së qarkut Fier, Lorenc Panganika, shkak i krimit ka qenë pikërisht ky konflikti i çastit.

Lorenc Panganika: Pista kryesore është për motivet e çastit. Nuk ka lidhje me këto që janë ngritur për probleme hasmërie.

Por nuk përjashtohet që shkak i këtij krimi të rëndë të ketë qenë dhe hakmarrja. Në vitin 2019 babai i Novruz Cenalisë ka qenë pjesë e grupit që arrestuan vëllain e autorit të dyshuar të krimit të kësaj të hëne. Kiri Mërnica është ende në burg pasi akuzohet si i përfshirë në vrasjen e Florjan Selmanit në fshatin Hamil.

Babai i efektivit të vrarë, Novruz Cenalia gjatë kohës që punonte në Has, ka vrarë Sali Harhullën gjatë aksionit për kapjen e tij në vitin 2005. Pasi qëlloi me rreth 30 plumba forcat e policisë, Hasan Cenalia është kundërpërgjigjur duke e vrarë me një plumb, me armën e shërbimit. Pas hetimeve punonjësi i policisë është shpallur i pafajshëm pasi reagoi në kushtet e vetëmbrojtjes. Më pas Hasan Cenalia u transferua në policinë e Fierit.

Klan News