Ende mbeten të paqarta rrethanat e helmimit të mbi 1500 banorëve të Deçanit. Fillimisht u dyshua që shkaku kryesor të jetë uji i pijes, por të gjitha analizat si ato kimike, mikrobiologjike, të metaleve të rënda dhe të mostrave të pacientëve kanë rezultuar të jenë në rregull. Është raportuar për dy serbë të dyshimtë që kanë vizituar Deçanin në fund të qershorit.
Kreu i AKI-së ka raportuar në komisionin parlamentar për mbikëqyrjen e këtij institucioni. Kryetarja e Komisionit tha se nuk është e cenuar siguria nacionale. Presidenti serb Aleksander Vuçiç ka thënë se ka njohuri për dy serbët që janë parë 500 metra afër burimit të ujit, por janë duke pritur se çfarë do të deklarojnë ata.
Ndërsa është mbledhur edhe Komisioni Parlamentar për Çështjes të Sigurisë. Është kërkuar që të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare, por që nuk u aprovua nga shumica e anëtarëve të Komisionit. Janë hedhur kritika kryesisht nga opozita për mosreagim të shpejtë. Ndërkohë numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë me shenja helmimi në Deçan ka rënë dukshëm.
Tv Klan