Viti 2025 ka shënuar rritje të numrit të vrasjeve të aktivistëve për mbrojtjen e mjedisit, kryesisht në Kolumbi dhe Brazil.
Sipas raportit vjetor të Global Witness, i publikuar ditën e mërkurë, 16 shtator, Kolumbia dhe Brazili përbëjnë 52% të të gjitha vrasjeve të mbrojtësve të mjedisit, me përkatësisht 39 dhe 26 viktima.
Një pjesë e madhe e vrasjeve në Brazil lidhet me konfliktet për pronësinë e tokave, një burim historik tensionesh mes popullatave indigjene dhe pronarëve të mëdhenj të tokave.
“Ata mund të vrasin njerëz sepse janë të sigurt që do të mbeten të pandëshkuar, është si të kesh një licencë për të vrarë. Në përgjithësi, ata që urdhërojnë vrasjet nuk vuajnë dënime, ata nuk arrestohen”, u shpreh për AFP, Carlos Lima, përfaqësues i një organizate që mbron të drejtat e fermerëve dhe popujve indigjenë në Brazil.
Kolumbia sakaq, për të shtatin vit radhazi zë vendin e parë si shteti më i rrezikshëm në botë për aktivistët e mjedisit. Këta të fundit përballen dhe me kërcënime nga grupe kriminale që angazhohen në shfrytëzimin e paligjshëm të minierave.
Amerika Latine kështu mbetet rajoni më i rrezikshëm në botë për këta aktivistë, teksa rreziku është veçanërisht i lartë në zona të izoluara ose ku prania e autoriteteve është mjaft e dobët.
Të paktën 124 mbrojtës të mjedisit në të gjithë botën humbën jetën vitin e kaluar si pasojë e kauzës së tyre. Hondurasi dhe Filipinet renditen të tretat në listë, me nga 12 vrasje secila. Meksika vjen pas me 10 vrasje.
Që prej vitit 2012, kur Global Witness nisi të mbante regjistrime mbi numrin e mbrojtësve të vrarë, shifra ka arritur në 2 mijë e 375 (të vrarë ose të zhdukur).
/tvklan.al












Botërori 2026 
