Gjykata e Lartë pranon kërkesat e familjarëve të 4 viktimave

Gjykata e Lartë vendosi që dosja e “21 janarit” të hetohet nga Prokuroria e Posaçme duke pranuar në këtë mënyrë kërkesën e familjarëve të viktimave. Gjykata e Lartë e quajti jo të drejtë vendimin e SPAK për të mos regjistruar kallëzimin penal të bërë nga familjarët. Me vendimin e Kolegjit të Bashkuar të Gjykatës së Lartë do të duhet që tashmë SPAK të regjistrojë procedimin penal për këtë çështje dhe të hetojë të gjithë zinxhirin komandues të Gardës në 21 Janarit 2011, gjatë protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

E veja e Aleks Nikës, Rajmonda Nika, pas vendimit të Gjykatës së Lartë që e kaloi dosjen e “21 janarit” për hetim në SPAK, tha se e drejta më në fund fitoi. Prokuroria e Posaçme gjithashtu do të duhet të tërheqë dosjen e “21 Janarit” nga Prokuroria e Tiranës, që e ka hetuar më parë këtë çështje.

Në 21 Janar të vitit 2011 gjatë protestës që u zhvillua përpara Kryeministrisë humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedja, të cilët 10 vite më vonë u shpallën nga qeveria socialiste “Dëshmorë të Atdheut”.

Klan News