Një 21-vjeçar palestinez nga Bregu Perëndimor ka vdekur në burgun Ofer, pasi mbahej në paraburgim administrativ pa gjyq që prej tetorit 2025. Organizatat palestineze për të drejtat e të burgosurve akuzojnë autoritetet izraelite për përgjegjësi dhe kërkojnë hetim ndërkombëtar.
Moataz al-Atrash, 21 vjeç, ka vdekur në burgun Ofer pasi ishte mbajtur në paraburgim administrativ që prej 5 tetorit 2025, njoftuan Komisioni Palestinez për Çështjet e të Burgosurve dhe ish-të Burgosurve dhe Klubi i të Burgosurve Palestinezë.
Sipas avokatëve dhe familjarëve të tij, al-Atrash nuk kishte probleme shëndetësore para arrestimit.
Dy organizatat palestineze kanë akuzuar autoritetet izraelite për përgjegjësi për vdekjen e 21-vjeçarit. Sipas tyre, me këtë rast shkon në 92 numri i të burgosurve dhe personave të ndaluar palestinezë që kanë vdekur në paraburgim që nga fillimi i luftës në Gaza.
Organizatat thonë se numri real mund të jetë edhe më i lartë, pasi mungojnë të dhëna për dhjetëra persona të ndaluar. Shërbimi i Burgjeve të Izraelit nuk ka dhënë ende një përgjigje lidhur me rastin.
Paraburgimi administrativ është një procedurë që lejon mbajtjen e një personi në ndalim pa akuzë formale apo gjyq, mbi bazën e informacionit të inteligjencës që, sipas organizatave palestineze, nuk u bëhet i ditur të ndaluarve apo avokatëve të tyre.
Në këto raste, avokatët nuk kanë akses në provat që përdoren kundër klientëve të tyre, por marrin vetëm një përmbledhje të dyshimeve.
Organizatat palestineze për çështjet e të burgosurve pretendojnë se kushtet në burgjet dhe qendrat e paraburgimit janë përkeqësuar ndjeshëm që prej 7 tetorit 2023.
Sipas tyre, të burgosurit palestinezë përballen me keqtrajtim, mungesë ushqimi, dhunë fizike dhe seksuale, neglizhencë mjekësore dhe kushte të rënda higjieno-sanitare. Organizatat thonë gjithashtu se mbipopullimi ka favorizuar përhapjen e sëmundjeve infektive, përfshirë zgjeben.
Ato kanë ngritur shqetësime edhe për aksesin e kufizuar të organizatave të të drejtave të njeriut dhe organizatave humanitare, përfshirë Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, në qendrat e paraburgimit.
Të dhënat e publikuara nga institucionet palestineze për të burgosurit tregojnë se, në fillim të shtatorit 2026, rreth 9,350 palestinezë mbaheshin në burgjet izraelite.
Mes tyre, sipas këtyre të dhënave, janë rreth 90 gra dhe më shumë se 350 të mitur.
Rreth 3,176 persona mbahen në paraburgim administrativ, pa akuza apo gjyq, ndërsa 1,393 të tjerë mbahen në bazë të Ligjit për Internimin e Luftëtarëve të Paligjshëm, shumica prej tyre persona të ndaluar nga Gaza.
Organizatat palestineze theksojnë se këto shifra nuk përfshijnë të gjithë personat nga Gaza që mbahen në qendra të administruara nga ushtria.
Një raport i publikuar vitin e kaluar, i bazuar në vizita të përfaqësuesve të Zyrës së Mbrojtësit Publik të Izraelit në qendrat e paraburgimit, dokumentoi përkeqësimin e kushteve të të burgosurve palestinezë.
Sipas raportit, pas nisjes së luftës në Gaza, Shërbimi i Burgjeve të Izraelit vendosi një menu të kufizuar ushqimore për të burgosurit e sigurisë. Raporti e lidhi këtë me raste të urisë së rëndë, humbjes së konsiderueshme në peshë, dobësisë ekstreme fizike dhe rasteve të të fikëtit.
Raporti evidentoi gjithashtu se rritja e numrit të të burgosurve dhe të ndaluarve ka përkeqësuar problemin e mbipopullimit në qendrat e paraburgimit.
Organizatat palestineze i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe organizatave për të drejtat e njeriut që t’i kërkojnë Izraelit të hetojë rrethanat e vdekjes së al-Atrash dhe të garantojë mbikëqyrje ndërkombëtare mbi kushtet në qendrat e paraburgimit.
/tvklan.al












Botërori 2026 
