Mediat sociale kanë pasur një ndikim të madh në promovimin e Shqipërisë si destinacion për t’u vizituar, ndaj 24 influencerë nga vende të ndryshme të botës përjetuan magjinë e Tiranës gjatë një udhëtimi disa-ditor, duke zbuluar kryeqytetin në të gjitha dimensionet e tij. Influencuesit e mediave sociale rrëfejnë përshtypjet pozitive për metropolin shqiptar.

“Kam dëgjuar shumë komente pozitive për bregdetin e Shqipërisë dhe, duke qenë se Tirana është kryeqyteti, vizita këtu ishte e domosdoshme. Kam 12 orë këtu dhe përshtypjet e para janë shumë pozitive. Ka shumë të rinj, qytet modern, është një qytet dinamik. Është një destinacion i domosdoshëm për sezonin e ardhshëm turistik”, tha Irina Zeiser, influencere nga Gjermania.

“Kjo është hera ime e parë në Shqipëri. Shumë nga miqtë e mi kanë vizituar më parë dhe më kanë folur për kulturën, njerëzit dhe ushqimin. Deri tani kam parë vetëm gjëra pozitive; sinqerisht, nuk kam ndjerë asnjë energji negative. Kështu që do të ndaj me të gjithë ndjekësit e mi të gjitha momentet e bukura që kam përjetuar sot”, tha Michael Kebebe, influencer nga Siria.

“Jetojmë shumë pranë Shqipërisë dhe është kënaqësi të jemi në Tiranë, pasi kultura këtu është shumë e afërt me tonën. Ushqimi, kultura e qytetit dhe e vendit, si dhe arkitektura, janë mjaft të ngjashme me ato italiane. Të gjitha këto na kanë sjellë këtu për të eksploruar një tjetër vend të botës që, sipas nesh, është shumë i bukur”, tha Francesca Farruggia, influencere nga Italia.

24 influencerët e famshëm ishin nga vende si Gjermania, Italia, Serbia, Ukraina, Portugalia, Mbretëria e Bashkuar, Turqia, Siria, Hungaria, Bullgaria dhe Kroacia.

Klan News

/tvklan.al