Në drejtim të dy vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia u zbrazën rreth 25 plumba. Dy vëllezërit e ekzekutuar pasditen e kësaj të hëne në Durrës sapo kishin lënë punën në servisin e automjeteve në pronësi të tyre, kur u ekzekutuan për vdekje nga persona ende të paidentifikuar. Detajet i përcolli në edicionin e lajmeve në Televizionin Klan, gazetarja Enkeleda Arapi.

“Burime nga policia bëjnë të ditur se referuar skenës së krimit, mësohet se dy vëllezërit në momentin që është bërë atentati ata sapo kishim hipur në automjetin e tyre, pasi kishin lënë punën në servisin, vend në të cilin ndodhi edhe krimi i rëndë. Ata janë qëlluar me rreth 25 plumba. Është qëlluar në pjesën e pasme dhe të përparme të automjetit, gjë që i ka shkaktuar dhe vdekjen e menjëhershme”.

Sa i përket pistave paraprake ku po hetohet, gazetarja tha se autoritetet po hetojnë kryesisht për konflikte që mund të lidhen me servisin e automjeteve dhe konflikteve që viktimat mund të kenë pasur me konkurrentë të tyre.

“Aktualisht Policia e Durrësit në bashkëpunim me prokurorinë po hetojnë në disa pista referuar edhe të shkuarës së dy viktimave, por edhe aktivitetin që kishin, kryesisht në servisin e automjeteve, pasi jepnin edhe makina me qira, por edhe në pikën e këmbimit valutor. Paraprakisht policia dyshon se ngjarja ka ndodhur për shkak të një konflikti që viktimat kishin me disa persona të tjerë që ushtronin të njëjtin aktivitet të servisit të makinave pranë zonës ku dhe këta të fundit e zhvillonin, por edhe për shkak të borxheve të shumta. Gjithsesi këto janë të dhënat e para pasi policia po heton edhe në pista të tjera, ku në orët në vijim, sipas tyre, pritet të zbardhet edhe ngjarja e rëndë”./tvklan.al