Një rrotë panoramike 34 metra e lartë, një arenë rodeoje dhe një kopje e reduktuar e harkut monumental të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump janë ngritur në zemër të National Mall në Uashington.
Ato janë pjesë e përgatitjeve për festimet e 250-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara më 4 korrik. Për 16 ditë me radhë, sheshi më simbolik i kryeqytetit amerikan shndërrohet në një panair gjigant, ku prezantohen të 50 shtetet dhe gjashtë territoret amerikane, përmes pavijoneve, ekspozitave, aktiviteteve kulturore, koncerteve dhe atraksioneve për familjet.
“Është ditëlindja e Amerikës, 250-vjetori i saj. Do të jetë një ngjarje e jashtëzakonshme. Besoj se do të kemi shfaqjen më të madhe të fishekzjarreve që është organizuar ndonjëherë. Po festojmë të 50 shtetet dhe gjashtë territoret në një mënyrë që nuk është bërë më parë në historinë e vendit”, thotë Elizabeth Pipko, zëdhënëse e “Freedom 250”.
Në hyrje të panairit është vendosur një hark monumental i zbukuruar me shqiponja dhe statuja klasike. Në të lexohet mbishkrimi “One Nation Under God”, një slogan që organizatorët e konsiderojnë pjesë të identitetit historik amerikan.
Sipas organizatorëve, çdo shtet ka hapësirën e vet, pavarësisht se disa prej tyre nuk kanë dërguar delegacione zyrtare, kryesisht për arsye buxhetore ose për shkak të rezervave ndaj organizimit të aktivitetit.
“Çdo shtet është i përfaqësuar. Të gjithë kanë pasur të njëjtën mundësi dhe duam që secili të ndihet po aq i rëndësishëm dhe i denjë për t’u festuar. Nuk ka rëndësi nga cili shtet vjen. Mund të njohësh vende të tjera, edhe mijëra kilometra larg, dhe të kuptosh më mirë se çfarë do të thotë të jesh amerikan”.
“Freedom 250”, organizmi që koordinon festimet, e përshkruan këtë përvjetor si një projekt kombëtar dhe jo politik. Organizatorët thonë se synimi është të vendosin në qendër historinë e Shteteve të Bashkuara.
“Freedom 250 është një organizatë plotësisht jopartiake. Politika do të mbetet pas, por historia do të kujtohet gjithmonë. Një ditë, nipërit dhe mbesat do t’ju pyesin se ku ishit në 250-vjetorin e Amerikës. Është një pyetje që nuk ka lidhje me politikën dhe për mua është nder të jem pjesë e kësaj feste.”
Një nga atraksionet kryesore është rrota panoramike e vendosur në National Mall. Pamjet tregojnë ndërtimin e saj gjatë disa ditëve, ndërsa organizatorët besojnë se është një nga pikat më të frekuentuara të festimeve.
“Qëllimi ynë është që familjet që hipin në këtë rrotë panoramike të krijojnë kujtime që do t’i mbajnë mend gjatë gjithë jetës”, thotë Taylor Talley, organizatore.
Një tjetër element i veçantë i panairit është “Rodeo 250”. Organizatorët synojnë të sjellin në kryeqytet traditën e kaubojsve amerikanë, përmes garave, demonstrimeve dhe aktiviteteve edukative.
“Kur mendon për shpirtin amerikan, mendon edhe për shpirtin e kaubojit. Ky vend është ndërtuar nga njerëzit, nga puna dhe nga besimi te liria dhe kërkimi i lumturisë. Këto janë vlerat që duam të përcjellim”, shprehet Jeff Lee, drejtor produksioni i “Rodeo 250”.
Organizatorët shpresojnë që vizitorët të largohen me një njohje më të madhe për traditën e kaubojve dhe të kuptojnë se ajo nuk i përket vetëm zonave rurale të vendit.
“Shpresoj që njerëzit të kuptojnë më mirë çfarë është rodeoja dhe kultura e kaubojve. Nuk është e nevojshme të lindësh në atë kulturë për t’u bërë pjesë e saj. Edhe nëse vjen nga një qytet i madh, mund të ndihesh pjesë e saj”.
Ndërsa përgatitjet janë bërë në të mirën e mundshme, reagimet e vizitorëve mbeten të ndara.
“Mendoj se është fantastike. Kur pashë ndërtimet u habita, por tani më duket shumë interesante. Do të ishte bukur të isha këtu gjatë gjithë festimeve”, thotë një turist.
“Ky është parku i njerëzve. E kuptoj festën, por është për të ardhur keq që kjo hapësirë u merret qytetarëve për një spektakël kaq të madh. Një festim duhet të përfaqësojë atë që jemi, jo vetëm madhështinë”, shton një tjetër
Megjithatë, shumë vizitorë besojnë se panairi ofron një mundësi të rrallë për të njohur në një vend të vetëm traditat dhe kulturën e gjithë Amerikës.
“Mendoj se është diçka fantastike. Këto janë pjesë të identitetit amerikan. Shumë njerëz nuk kanë mundësi t’i përjetojnë për shkak të largësive gjeografike, ndërsa këtu mund t’i shohësh të gjitha në një vend”, vijon një tjetër.
Panairi “Great American State Fair” do të qëndrojë i hapur deri më 10 korrik. Organizatorët presin qindra mijëra vizitorë nga të gjitha shtetet amerikane dhe nga vende të ndryshme të botës, në një festë që synon të ndërthurë historinë, traditën dhe identitetin kombëtar amerikan.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 