Christopher Nolan ka arritur një tjetër sukses të jashtëzakonshëm në karrierën e tij. Filmi i tij më i fundit, “Odissea”, po shndërrohet në një fenomen global, duke sjellë në ekran një nga veprat më të mëdha të letërsisë antike dhe duke vendosur rekorde të reja në kinematografi.
Filmi është i pari në historinë e kinemasë që është xhiruar tërësisht me kamera IMAX me film celuloid. Për realizimin e tij janë përdorur mbi 610 kilometra shirit filmik, me synimin për të kapur çdo detaj vizual në një eksperiencë sa më reale për publikun.
Superproduksioni, i ndërtuar me një kast të fuqishëm aktorësh dhe me një përkujdesje të jashtëzakonshme në çdo skenë, ka arritur të sjellë poemën epike të Homerit para një audience globale që ndoshta nuk do ta kishte zbuluar kurrë ndryshe.
Sipas të dhënave të para, “Odissea” ka arkëtuar 259 milionë dollarë në vetëm tre ditët e para të shfaqjes. Vetëm në Amerikën e Veriut filmi ka siguruar 120 milionë dollarë, ndërsa pjesa tjetër ka ardhur nga 73 tregje ndërkombëtare, përfshirë Italinë ku shitja e biletave në 72 orët e para ka kaluar vlerën e 7.5 milionë eurove.
Ky sukses konfirmon edhe një herë aftësinë e Nolan për të bashkuar kinemanë e autorit me madhështinë e një blockbuster-i. Regjisori britanik është i njohur për mënyrën unike se si ndërthur teknologjinë moderne me tregime komplekse mbi kohën, kujtesën dhe psikikën njerëzore.
Nga “Inception” te “Interstellar”, nga trilogjia “The Dark Knight” te “Oppenheimer”, Nolan ka krijuar një stil të veçantë që ka ndryshuar mënyrën se si perceptohen filmat komercialë. “Oppenheimer” i dha atij dy çmime Oscar, përfshirë atë për regjisorin më të mirë dhe filmin më të mirë.
Një nga tiparet më të dallueshme të Nolanit është kërkimi i vazhdueshëm për realizëm. Edhe në “Odissea”, ai shmangu përdorimin masiv të efekteve dixhitale dhe zgjodhi të ndërtojë elementë fizikë realë, përfshirë anije luftarake në përmasa të plota.
Regjisori, i cili nuk përdor smartphone dhe shmang rrjetet sociale, mbetet një nga figurat më të veçanta të kinemasë moderne. Me “Odisenë”, Nolan ka arritur një tjetër mision të pamundur: ta kthejë një vepër mijëravjeçare të Homerit në një ngjarje globale të kohëve moderne.
/tvklan.al












Botërori 2026 
