Kur Donatella Versace mori në dorë drejtimin e kompanisë pas vrasjes së vëllait të saj, Gianni, pjesa më e madhe ishin të sigurt se ‘mbretërimi’ i saj nuk do të qe asgjë më tepër se një passhkrim. Motra më e vogël bionde, pa asnjë trajnim dhe e varur nga droga ishte sekreti më keq i ruajtur i industrisë dhe caktimi i saj u pa thjesht si një detyrë sentimentale.

Donatella u  provoi të gjithëve  se e kishin gabim. Shtëpia Versace njihet sot prej saj po aq sa prej Gianni. Pas 27 vjetësh, ajo ka hequr dorë nga drejtimi i markës së modës duke u larguar si një ikonë dhe një nga stilistet më të suksesshme të historisë së modës moderne.

Prej 20 vjetësh, ajo nuk ka asnjë varësi dhe e ka kthyer Versace në një emër global me vlerë 2 miliardë  dollarë,e  cila iu shit Capri Holdings para 6 vitesh e gjysmë.

Donatella dukej e destinuar që të fshihej nga librat e modës me vdekjen e papritur të Gianni, por talenti dhe vendosmëria e saj e kthyen markën luksoze në një  forcë që vendos trende duke e bërë të  dëshirueshme për konsumatorët që kanë njohur vetëm atë si stiliste. Gianni i kishte parë dhe i mbështeste instinktet e saj, gjilpëra kapëse si motiv i Versace ishte ideja e saj.

Donatella krijoi momente të rëndësishme të kulturës pop, nga fustani i gjelbër i Jennifer Lopez e deri te një koleksion mbresëlënës  që dizenjoi në vitin 2023 me Dua Lipën. “Versace është ajo që është sot për shkak të Donatella Versace”, tha shefi ekzekutiv Emmanuel Gintzburger kur njoftoi se çfarë do të pasojë.

Donatella do të jetë ambasadorja kryesore e kompanisë duke u fokusuar në projektet filantropike. Prej 1 prillit, vendi i saj do t’i përkasë Dario Vitale i cili ka qenë drejtor dizajni dhe imazhi te Miu Miu.

Ka qenë privilegji më i madh i jetës sime të vijoja trashëgiminë e vëllait tim, Gianni”, deklaroi Donatella  duke theksuar se ishte “entuziaste për ta parë Versace përmes syve të rinj”.

Nga afër, ajo është e ëmbël dhe  bujare, gazmore dhe e vetëdijshme. Pamja e saj me lëkurën ngjyrë arre, flokët platin dhe siluetën e vogël mbi takat me thumba fshehin egon e munguar të një stilisteje të përmasave të saj.

Ajo ka kaluar breza supermodelesh nga Naomi Campbell te Gigi Hadid. Në vitin 2017, Donatella krijoi një nga momentet më historike duke ribashkuar supermodelet  e viteve ’90 në pasarelën  e saj: Cindy Crawford, Naomi Campell, Christy Turlington dhe Claudia Schiffer.

Sot ajo largohet si një stiliste që shkeli të gjitha pritshmëritë duke u kthyer në një ikonë./tvklan.al