Rreth 28 mijë maturantë do i nënshtrohen provimit të parë të Maturës Shtetërore. Testojnë njohuritë për gjuhën e huaj.

Provimi zgjat 2 orë e 30 minuta. Janë rreth 144 qendra provimi që do të administrohen nga 2700 punonjës arsimorë të të gjitha strukturave, të cilët janë angazhuar për të administruar, për të monitoruar procesin e Maturës Shtetërore.

Provimet do të zhvillohen edhe në qendra me hapësira të mëdha siç janë palestra, korridore, ku 70% e mjediseve do të monitorohen nga kamerat për të siguruar dhe për të pasur një proces administrimi sa më transparent.

Ministrja e Arsimit uroi Maturantët në këtë ditë të veçantë për ta dhe tha se një nga risitë e Maturës Shtetërore këtë vit është gjenerimi i diplomës me vulë elektronike në sistemin e-matura, që është një hap përpara drejt modernizimit dhe digjitalizimit të mëtejshëm të shërbimeve online.

Pas provimit të gjuhës së huaj, më 10 Qershor maturantët do t’i nënshtrohen provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, më pas më 18 Qershor do kenë matematikën ndërsa më 24 Qershor është provimi i fundit, ai i lëndës me zgjedhje.

Klan News