Jeffrey Epstein, financieri i njohur për skandalet e tij të rënda seksuale, kishte planifikuar të linte pasurinë e tij prej 288 milionë dollarësh dhe një koleksion ndërkombëtar pronash të vlefshme për të paktën 44 përfitues të ndryshëm, sipas testamentit që ai nënshkroi vetëm dy ditë para se të vdiste.
Sipas dokumenteve të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, Epstein kishte shprehur dëshirën që e dashura e tij, Karyna Shuliak, të merrte 50 milionë dollarë, ishullin e tij të famshëm Little Saint James, i njohur si “ishulli i pedofilëve”, pronën Zorro Ranch, shtëpinë e tij në New York, si dhe prona në Paris dhe Florida. Ai gjithashtu planifikonte t’i linte një unazë diamanti 33 karat, e shoqëruar me diamante të prerjes “baguette” dhe montuar në platin, duke shkruar në testament se unaza ishte “në pritje të martesës”.
Drejtuesi i testamentit dhe avokati i tij, Darren Indyke, duhej të merrte 50 milionë dollarë, ndërsa llogaritari i Epstein, Richard Kahn, do të merrte 25 milionë. Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtorja e tij e gjatë dhe tashmë e dënuar me 20 vite burg për trafik seksual, do të merrte 10 milionë dollarë, ashtu si dhe vëllai i Epstein, Mark, dhe piloti i tij Larry Visoski.

Megjithatë, pas vdekjes së Epstein, e gjithë pasuria iu kalua një fondi të posaçëm dhe përdoret për të kompensuar viktimat dhe për të paguar taksat dhe tarifat ligjore. Sipas llogarive të fundit, nga shuma fillestare prej 288 milionë dollarësh, kanë mbetur vetëm 127 milionë dollarë. Karyna Shuliak, e cila besohet të ketë qenë në lidhje me Epstein për rreth 8 deri 10 vjet, ishte personi i fundit që foli me të në telefon para vetëvrasjes së tij. Sipas regjistrimeve të burgut, ajo e vizitoi në qeli 11 ditë para vdekjes së tij. Ajo gjithashtu ishte pjesë e grupit të personave që udhëtuan me avionin privat të Epstein kur ai u arrestua në korrik 2019, pas një udhëtimi nga Parisi në aeroportin privat Teterboro në New Jersey.
Shuliak, e cila është origjinare nga Minsku, Bjellorusi, ka ardhur në SHBA rreth vitit 2009 dhe ishte martuar me një bashkëpunëtor të Epstein, Jennifer Kalin. Brenda pak vitesh, ajo u përfshi në raport romantik me Epstein dhe fitoi nofkën “inspektorja” për mënyrën sesi kontrollonte vazhdimisht çdo lëvizje të tij. Lidhja e saj me Epstein u bë publike disa muaj pas vdekjes së tij. Epstein thuhet se pagoi trajtimet mjekësore të shtrenjta të nënës së saj dhe ndihmoi në financimin e banesës së prindërve të saj në Minsk, raporton Daily Mail.
Deri tani janë publikuar tre milionë dokumente të lidhura me Epstein, duke përfshirë mijëra fotografi dhe video, disa që tregojnë anëtarë të familjes mbretërore të përfshirë në situata komprometuese. Email-et e zbuluara tregojnë marrëdhënie miqësore dhe të afërta midis Epstein dhe figurave të njohura, përfshirë princin Andrew dhe Sarah Ferguson.
Kjo zbardhje e testamentit dhe dokumenteve të tjera nxjerr në pah pasurinë e madhe dhe planet personale të një prej figurave më të famshme dhe më të përfolura të skandaleve seksuale në botë, duke treguar sesi Epstein mendonte të ndante pasurinë e tij të jashtëzakonshme, përpara vdekjes së papritur në burg.












Botërori 2026 
