30 shtator 2026 – Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen vlerësoi përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke dhënë tre mesazhe kryesore për vendin tonë.
Von der Leyen tha se objektivi i anëtarësimit është në horizont dhe se Shqipëria është ndër vendet kryesuese në këtë proces. Ajo theksoi se vendi është plotësisht i përafruar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, duke shtuar se anëtarësimi i Shqipërisë nuk do ta bëjë vetëm vendin më të fortë, por edhe Bashkimin Europian.
“Objektivi është në horizont, Shqipëria është në vendet kryesuese në procesin tonë të anëtarësimit. Meqenëse kam qenë edhe vitin e kaluar në Tiranë, që atëherë Shqipëria ka bërë një ecuri të mrekullueshme. Ky është një përparim shumë i rëndësishëm, Shqipëria është plotësisht e përafruar me politikën tonë të jashtme dhe të sigurisë. Ne e shohim botën me të njëjtin sy. Anëtarësimi i Shqipërisë nuk do ta bëjë vetëm Shqipërinë më të fortë, por edhe BE-në më të fortë”.
Mesazhi i dytë lidhej me domosdoshmërinë e reformave të mëtejshme në kapitujt e hapur, duke nënvizuar se miratimi i tyre duhet të shoqërohet me zbatimin e plotë, përtej ndasive politike.
“Mesazhi im i dytë: nevojiten reforma të mëtejshme në të gjithë kapitujt e hapur. Miratimi i reformave është i rëndësishëm, por është po aq e rëndësishme të plotësohen tërësisht. Kjo kërkon angazhim të vërtetë, përtej ndasive politike”.
Ndërsa në mesazhin e tretë, Von der Leyen u ndal te plani i rritjes, duke theksuar se Shqipëria ka përmbushur mbi 80% të hapave të reformave.
“Mesazhi im i tretë ka të bëjë me rezultatet e planit tonë të rritjes. Ne sjellim investime të BE-së në Shqipëri, hapim disa pjesë të tregut tonë të përbashkët. Në të njëjtën kohë ju miratoni dhe merrni reformat e nevojshme. Shqipëria po ecën shumë mirë sa i përket planit të rritjes: keni përmbushur mbi 80 përqind të hapave të reformave, keni marrë 213 milionë euro fonde dhe në javët në vijim priten pagesa të tjera“.
Kujtojmë se Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen mbërriti pasditen e kësaj të mërkure në Tiranë, nga ku nisi dhe turin e saj ballkanik.
/tvklan.al












Botërori 2026 