Kjo foto është fiksuar pak çaste pas aksidentit të regjistruar në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ ku një automjet u aksidentua me dy monopatina, me të cilat lëviznin 3 të mitur të moshave 9, 11 dhe 12 vjeç.

Në foton e kapur nga një kamera amatore, duken dy prej fëmijëve të plagosur të shtrirë në tokë dhe një grumbull qytetarësh të rastësishëm që tentojnë t’u vijnë në ndihmë.

Nga foto, siç mund të shihet, të dëmtuarit nuk kanë qenë të pajisur me kasketë mbrojtëse.

Mungesa e një mase të tillë por dhe goditja e fortë, ka bërë që një nga të miturit, konkretisht 11-vjeçari J.N., të marrë plagë të shumta dhe aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës në gjendje të rënduar shëndetësore.

Ndërkohë, dy të dëmtuarit e tjerë paraqiten më stabël.

Sipas dinamikës së rindërtuar nga policia, dy skuterët elektrikë me të cilat lëviznin 3 të miturit, kishin sens drejtimi nga ish-hotel Dajti për tek ura e ish-bllokut.

Ndërsa automjeti tip Renault me drejtues 41-vjeçarin E.S., po lëvizte nga bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ në drejtim të urës së ish-bllokut.

Pikërisht në kryqëzimin e bulevardit ka ndodhur dhe përplasja.

Për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes, policia ka shoqëruar shoferin e makinës Renault i cili nga verifikimet nuk ka rezultuar nën efektin e alkoolit.

Gjithashtu janë sekuestruar dhe pamjet filmike në zonë për të zbuluar shkakun e përplasjes së fortë.

Tv Klan

/tvklan.al