Akomodim falas dhe mundësi punësimi gjatë verës

30 të rinj nga Lugina e Preshevës janë përzgjedhur që të përfitojnë bursa studimi nga universitetet e Tiranës, Gjirokastrës, Shkodrës, Elbasanit dhe Vlorës duke përfshirë dhe akomodimin e tyre për tre vitet e studimeve.  Bashkitë e zonave turistike janë vetëofruar që t’i punësojnë të rinjtë gjatë sezonit të verës si guida turistike.

Ky hap i pare për të ndihmuar shqiptarët e Preshevës vjen si pjesë e nsimës se Ministrisë së jashtmë “Për shqiptarët në rajon”, që ministri Hasani  premton që do të shkojë dhe përtej ndihmës në sektorin e arsimit.

“Ndërkohë janë duke u shqyrtuar me shumë prioritet mënyrat se si mund të ofrohet për Luginën mbështetje për specializime në fushën e mjekësisë. Në të ardhmen e afërt objektivat tona do të materializohen edhe me projekte të tjera për të frenuar pasivizimin e adresave, çka padyshim është diçka që na shqetëson shumë”, tha Hasani.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës e vlerëson si kontribut të shumëdëshiruar për një komunitet që gjithmonë është lënë jashtë vëmendjes.

“Unë po shoh se po ndërtohet një strategji kombëtare e që përmes kësaj strategjie do ta kemi shumë më të lehtë që ta ruajmë substancën kombëtare”, tha Nevzad Lutfili.

3 studentët e parë që përfitojnë nga projekti i bursave kanë nisur studimet që në Tetor në universitetin e Gjirokastrës në degët e infermierisë dhe mësuesisë.

Tv Klan

/tvklan.al