Për shkak të zjarreve të shumta që kanë përfshirë disa zona të qarkut Dibër, në ambientet e Prefekturës u zhvillua sot një takim urgjent i strukturave të emergjencave civile, me fokus vlerësimin e situatës dhe forcimin e koordinimit ndërinstitucional.

Në takim morën pjesë Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhmedin Shehu, Kryetari i Bashkisë Dibër, Rahim Spahiu dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Haki Çako.

Gjatë mbledhjes u raportua mbi zonat e prekura, dëmet e shkaktuara dhe burimet njerëzore e logjistike të angazhuara në terren. Prefekti Shehu bëri të ditur se deri më tani janë djegur rreth 300 hektarë pyje, duke shkaktuar dëme të mëdha mjedisore dhe ekonomike.

Mes të pranishmëve u theksua nevoja për një reagim të menjëhershëm, koordinim të ngushtë mes institucioneve dhe përfshirjen aktive të komunitetit në parandalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve.

Ministri Vengu vlerësoi angazhimin e strukturave vendore dhe kërkoi përshpejtimin e masave për neutralizimin e vatrave, duke garantuar mbështetjen e qeverisë në këtë situatë emergjente.

Takimi u mbyll me hartimin e një plani të përbashkët veprimi për ditët në vijim, ku prioritet mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, e pronës dhe pasurisë natyrore të zonës./tvklan.al