Organizata kriminale dyshohet se tregtonte kokainë në Itali, Holandë, Gjermani dhe Spanjë

31 persona pjesë e grupit mafioz “Ndragheta” ranë në pranga gjatë një operacioni të Europol dhe Eurojust, të zhvilluar në Itali dhe Gjermani. Sipas një njoftimi zyrtar të organizatës së policive Europiane, janë identifikuar dhe 65 persona të tjerë pjesë e organizatës mafioze, të cilët u shpallën në kërkim.

Të arrestuarit dhe personat e tjerë të shpallur në kërkim dyshohen se tregtonin kokainë mes Italisë, Holandës, Gjermanisë dhe Spanjës. Për të humbur gjurmët ata përdoren mjete të koduara të komunikimit. Hetimet në Gjermani u përqendruan veçanërisht në trafikimin e drogës dhe shmangien e mundshme të taksave.

Sipas njoftimit zyrtar në Itali godinat e hoteleve dhe një pjesë e ekipit mikpritës u përdorën për të pastruar paratë.

Gjatë këtij operacioni u sekuestruan disa qindra mijëra euro, armë, kokainë, dy automjete luksoze dhe bizhuteri. Për të pasur një bilanc të plotë të shumave të sekuestruara, pritet të bëhet një vlerësim i plotë i llogarive bankare që janë bllokuar.

Për finalizimin e këtij operacioni u angazhuan rreth 800 oficerë policie dhe punonjës të tatimeve në të dyja shtetet.

Klan News