Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 32 vatra zjarri, nga të cilat 11 mbeten aktive, 5 janë nën mbikëqyrje dhe 16 janë fikur.

Angazhimi kryesor është përqendruar në vatrat më problematike.

Më konkretisht, në Malin e Dajtit, krahas strukturave bashkiake, sot janë angazhuar 77 forca ushtarake dhe 1 helikopter.

Në Bardhaj të Shkodrës janë angazhuar 5 automjete zjarrfikëse, shërbimi pyjor, strukturat e emergjencave civile, si dhe mbështetje nga Forcat e Armatosura.

Në Fier vazhdon lufta me flakët, ku në operacion janë përfshirë 13 automjete zjarrfikëse, 4 autobote, 55 efektivë, 90 forca të tjera, si dhe 90 ushtarakë, 1 helikopter dhe 1 AirTractor.

Ndërkohë, operacioni në Himarë është përmbyllur me fikjen e plotë të zjarrit.

Për përballimin e situatës është realizuar një angazhim i gjerë operacional në nivel kombëtar, me 735 forca vendore dhe 64 automjete zjarrfikëse.

Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 475 efektivë, 7 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 1 avion AirTractor. Për ditën e sotme është parashikuar angazhimi i 160 forcave ushtarake në zonat ku ndërhyrja vijon.

Tv Klan

/tvklan.al