Prokuroria e Durrësit ka lëshuar 33 urdhër-arreste në lidhje me 2100 tonë mbetjet që dolën nga vendi ynë verën e vitit të kaluar dhe u kthyen nga Tajlanda. Pas analizimit të tyre ka rezultuar se bëhet fjalë për substanca të rrezikshme, të cilat ishin nxjerrë kontrabandë nga vendi ynë.

Në përfundim të hetimeve, prokuroria ka kërkuar 26 masa arresti në burg dhe 7 të tjera në arrest shtëpie, të cilat kanë marrë edhe miratimin nga gjykata. Operacioni për ndalimin e tyre është shtrirë në 3 qytete: Durrës, Tiranë dhe Elbasan.

Mes të arrestuarve janë zyrtarë të Doganës së Durrësit dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Organi i akuzës ka lëshuar masën “arrest në burg” për Erdal Demir, administratorin e “Kurum International”, ndaj të cilit rëndojnë 6 akuza, mes të cilave edhe “Kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara” në 4 raste, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.

Masë “arrest në burg” është vendosur edhe për pronaren e kompanisë “Sokolaj”, Gjovana Sokolaj, e cila i kishte blerë mbetjet nga Kurum për t’i dërguar në Tajlandë.

Në “arrest shtëpie” do të qëndrojnë Marjeta Përlala, Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, dhe Arta Dollani, ish-drejtuese e këtij institucioni, aktualisht drejtoreshë e Agjencisë së Arsimit Parauniversitar.

Nga mostrat e marra në 11 nga 102 kontejnerët është konstatuar se ato kanë përmbajtje shumë të lartë zinku dhe hekuri, të shoqëruara me plumb, bakër, klor dhe squfur.

Pas kthimit nga Tajlanda, kontejnerët me këto mbetje janë mbajtur në një hapësirë të posaçme, nën mbikëqyrje 24 orë.

Tv Klan

/tvklan.al