6 persona janë marrë të pandehur dhe janë dërguar për gjykim nga Prokuroria e Tiranës për mundësim kalimi të paligjshëm drejt SHBA-ve. Ata merrnin deri në 35 mijë dollarë për një person. Organi i akuzës bën me dije se H.M. dyshohet si personi që ka organizuar të gjithë aktivitetin e paligjshëm. Për të njëjtën vepër ky person është dënuar edhe më herët.

Në bazë të rezultateve të hetimit, për të paktën 3 raste ai ka kërkuar 35 mijë dollarë për të dërguar në Amerikë dhe Kanada me viza false.

“Itinerari që ndjek ky shtetas për të kontrabanduar njerëz fillon nga Shqipëria, ku rekrutohen, dhe më pas nga vendet e Europës drejt Republikës Dominikane, e prej andej me dokumente false drejt Kanadasë ose nëpërmjet Porto Rikos, duke përdorur dokumente udhëtimi false për në Florida ose në shtete të tjera të SHBA-ve”.

Prokuroria thotë se H.M. po ashtu u përgjua nga hetuesit edhe në ambientet e burgut të Fushë-Krujës, ku ky i fundit kishte futur një aparat celular. Në aktivitetin e paligjshëm të falsifikimit të vizave është përfshirë edhe bashkëshortja dhe vëllai i saj. Sipas prokurorisë, në dy raste dokumentet e falsifikuara kishin të dhënat e shtetasve të huaj, të cilat i kishin marrë nga E.N., punonjës i një agjencie turistike, i cili edhe ky është vendosur nën akuzë.

Klan News

/tvklan.al