Prej datës 5 Qershor janë ekspozuar për publikun në Galerinë e Artit të Tiranës 39 vepra që ofrojnë një shëtitje në botën e ikonës së “pop artit”.

Kjo ekspozitë është vizituar edhe nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili u shpreh se tashmë kryeqyteti është kthyer një pikë e rëndësishme pritëse e artit bashkëkohor.

Erion Veliaj: Tirana është bërë epiqendra e gjërave të bukura që ndodhi në rajonin tonë, me art, kulturë dhe koncerte. Sot jetojmë një kohë kur në Tiranë po vjen e gjithë bota. Për ata që i kanë parë shumë nga riprodhimet e Andy Warhol në kabinat elektrike të qytetit, për ta bërë artin pak më miqësor me fëmijët, tani kanë mundësinë që të shohin 39 vepra të mirëfillta të artistit në Tiranë. Sot ky qytet nuk jeton vetëm me turizëm, me IT, por jeton edhe me art dhe kulture.”

Teksa fton qytetarët për të vizituar ekspozitën, ai deklaron se Tirana ka kalendarin më të dendur artistiko-kulturor në të gjithë rajonin.

Erion Veliaj: Tirana ka në të gjithë rajonin kalendarin më të dendur artistik dhe kulturor. Ky fakt na bën të ndihemi vërtet krenarë. Sot në Tiranë është sfidë të zgjedhësh se çfarë do të bësh më parë në mbrëmje. Mund të vish te ekspozita e Andy Warhol, mund të shkosh te festivali te Kinema “Agimi”, mund të shkosh te festivali tjetër te “Reja”, mund të shkosh te kinemaja “Maks Velo” në Laprakë, mund të ndjekësh aktivitete pa fund në sheshin “Skënderbej”. Askush nuk ka çfarë të thotë për mungesën e ofertës. Kemi ndoshta menunë më të gjerë dhe më të gjatë të aktiviteteve.

Ekspozita me 39 vepra do të jetë e hapur deri më 5 Gusht.

Klan News