Nëntë vatra zjarri të reja janë raportuar këtë të premte në vend, sipas të dhënave nga autoritetet e emergjencave civile. Nga këto vatra zjarri të raportuara prej orës 09:00 të mëngjesit të sotëm deri në orën 14:30, janë shuar pesë prej tyre ndërsa mbeten aktive dhe katër vatra zjarri.

Emergjencat civile kanë njoftuar se janë shuar vatrat e zjarrit në këto vende: Fshatin Burrel në Mat; Fshatin Hajmel në Vaun e Dejës; Fshatin Perondi në Kuçovë; Lagja “Gur i Bardh” në Dimal; Fshatin Draç në Durrës.

Zonat ku zjarret mbeten aktive:

Vlorë – Midis fshatit Grazhdan, njësia administrative Livadhja dhe fshatit Malçan, njësia administrative Dhivër, bashkia Finiq, zjarri i rënë më datë 01.07.2025 vazhdon të jetë aktiv në Malin e Shedenikut mbi fshatin Malcan, në një sipërfaqe me pyll pishe në një distancë shumë të largët dhe të pamundur për t’u arritur në këmbë. Zjarri po monitorohet në distancë nga 1 mjet zjarrfikës me 3 efektivë dhe punonjës të Shërbimit Pyjor në fshatin Malçan.

Elbasan – Ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit në vendgrumbullimin e mbetjeve në Bashkinë Elbasan.

Kukës – Në zonën malore mes fshatrave Gjinaj dhe Domaj, njësia administrative Gjinaj, bashkia Has, vazhdon të jetë aktiv zjarri i rënë në një sipërfaqe me pyll pishe. Në terren, janë angazhuar për shuarjen e tij: 10 punonjës të Shërbimit Pyjor, 5 forca të Mzsh Has me 1 automjet, 4 forca policore, 7 forca bashkiake dhe 10 vullnetarë. Terreni i vështirë dhe era e mbajnë zjarrin aktiv.

Tiranë – Në fshatin Bulticë, njësia administrative Vaqarr, bashkia Tiranë, vazhdon të jetë aktiv me intensitet të ulët zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre e ferra. Në vendngjarjë ka operuar 1 helikopter Cougar, i cili ka bërë të mundur izolimin e tij. Në zonën e zjarrit po punojnë 20 forca zjarrfikëse, si dhe 20 forca të APR-së së bashkisë Tiranë, të cilat vijojnë me mjete rrethanore dhe ato individuale për shuarjen përfundimtare të vatrave të zjarrit. Zjarri është nën kontroll.

Rreziku nga zjarret mbetet i lartë

Më herët mëngjesin e sotëm, u njoftua nga Instituti i Gjeoshkencave se sot pritet nivel rreziku i lartë pothuajse në të gjitha qarqet për shkak të temperaturave dhe kushteve të favorshme për përhapjen e flakëve. Në qarqet Korçë dhe Vlorë, rreziku vlerësohet si i moderuar, me prani të lokalizuar të rrezikut të lartë në zonat Korçë (Qendër) dhe Vlorë (Veri, Qendër).

I gjithë sistemi i mbrojtjes civile mbetet në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme dhe ndjek situatën në mënyrë të vazhdueshme./tvklan.al