Ukraina shënon të dielën 40-vjetorin e shpërthimit në centralin bërthamor të Çernobilit, katastrofa më e rëndë teknologjike në botë. Katër vite pas ofensivës ruse, centrali i Çernobilit është sërish nën kërcënim dhe ka rritur rreziqet e një katastrofe tjetër të mundshme radioaktive. Ambasadori i Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov, thotë për Klan News se e kaluara nuk duhet harruar dhe se rrezikon të përsëritet, jo vetëm si shqetësim për Ukrainën, por për gjithë Evropën.

“Mësimi kryesor i Çernobilit është përgjegjësia. Përgjegjësia për të vërtetën, për sigurinë, për jetët e njerëzve. Këto ngjarje kanë një lidhje të drejtpërdrejtë me të tashmen. Në vitin 2022, territori i stacionit të Çernobilit u pushtua. Siguria bërthamore u bë përsëri një çështje jo vetëm për Ukrainën, por për mbarë Evropën. Në kushte jashtëzakonisht të vështira po garantohet siguria e objekteve bërthamore”, deklaroi ambasadori.

Shpërthimi më 26 prill 1986 shkaktoi ndotje masive radioaktive që u përhap me shpejtësi përtej kufijve të Ukrainës, duke mbuluar një pjesë të madhe të Evropës.

Sipas vlerësimeve të ndryshme, emetimi i rrezatimit ishte dhjetëra herë më i lartë se bombardimi atomik i Hiroshimës në vitin 1945. Mbi 145 mijë kilometra katrorë territor u ndotën. Rreth 8.5 milionë njerëz u ekspozuan ndaj rrezatimit, ndërsa mbi 350 mijë u evakuuan nga shtëpitë e tyre.

Edhe sot, mijëra vendbanime në Ukrainë dhe në shtetet fqinje mbeten të prekura nga pasojat e kësaj tragjedie.

Klan News

/tvklan.al