Mësymja e pazakontë tokësore e ushtrisë ukrainase në Kursk të Rusisë ka hyrë në ditën e 5-të. Pavarësisht epërsisë si një fuqi ushtarake botërore, Rusia nuk ka mundur ta zmbrapsë sulmin e ushtarëve të Kievit që kanë hyrë 10 kilometra brenda territorit rus në rajonin kufitar të Kurskut.

Luftimet janë përqëndruar në periferi të qytezës së Sudzhas, ku ukrainasit kanë marrë në kontroll impiantin e gazit rus, ende aktiv në furnizimin e Europës. Në rrjetet sociale qarkullojnë pamje ku duken kamionë të shkatërruar të ushtrisë ruse, rrugës për në Sudzha.

Në mbledhjen e radhës urgjente të Këshillit të Sigurimit Kombëtar, presidenti rus Vlaidmir Putin  shpalli masat e një operacioni anti-terror në tre rajone pranë kufirit me Ukrainën, në Kursk, Belgorod dhe Briansk, duke e konsideruar ndërhyrjen nga Ukraina si sulm terrorist.

Qindra banorë në zonat e rrezikuara nga luftimet janë evakuuar. Në rajonin e Kurskut ndodhet edhe një central bërthamor për prodhimin e energjisë. Moska thotë se centrali që ndodhet mbi 100 kilometra larg zonës ku kanë hyrë ukrainasit është i rrezikuar nga luftimet dhe për këtë ka njoftuar edhe agjencinë ndërkombëtare të energjisë bërthamore.

Tv Klan