Pesë janë emrat të cilët kanë shprehur interesimin për të qenë kandidat për kryetar të PD në zgjedhjet e 23 majit. Kryetari aktual i PD, Sali Berisha, ka konfirmuar se do të futet përsëri në garën elektorale për të mbajtur drejtimin e forcës politike më të madhe opozitare.
Emra të tjerë të cilët depozituan dokumentacionin pranë PD deri në orën 12:00, kur ishte dhe skadimi i afatit zyrtar, janë: Evi Kokalari, e angazhuar në PD në foltoret e Berishës gjatë kohës që kjo forcë politike ishte e përçarë; Alesia Balliu, ish-anëtare e Këshillit Kombëtar, Mereme Sela, anëtare e PD; ish-deputeti i PD, Ervin Salianji, i cili prej muajsh ka nisur një tur takimesh me demokratët, nga ku ka kritikuar lidershipin aktual të PD.
Në mungesë të pritjes nga zyrtarët e PD, përfaqësuesit e personave që shprehën interesimin për të qenë kandidat për kreun e PD i dorëzuan dokumentet në recepsionin e selisë blu. Për Ervin Salianjin pati një qëndrim për mediat sekretari i përgjithshëm Flamur Noka, duke paralajmëruar se kandidimi i tij nuk do të pranohet.
Pas dorëzimit të dokumenteve, do të jetë Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale që do të bëjë vlerësimin e tyre dhe më pas emrat ia përcjell kryesisë së partisë. Do të jetë kryesia ajo që do të vendosë se kush nga emrat e interesuar do të jetë kandidat për kryetar të PD.
Emrat që synojnë të jenë kandidat për kreun e PD duhet të plotësojnë disa kritere: Të jenë anëtarë të Partisë Demokratike; Figurë me profil shumë të lartë publik dhe politik; Me angazhim politik dhe elektoral të paktën 10-vjeçar në Partinë Demokratike; Të kenë eksperiencë drejtuese në nivel kombëtar/rajonal në betejat politike të Partisë Demokratike, për kauza qytetare dhe politike.
Pas përfundimit të procesit zgjedhor për kryetarin e partisë më 23 maj, PD do të mbledhë Kuvendin Kombëtar më 30 maj, ku priten ndryshime statutore dhe riorganizim i strukturave drejtuese të selisë blu.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 