5 studio ndërkombëtare që bashkëpunojnë me arkitektë lokalë janë përzgjedhur mes 41 ekipeve që shprehën interes për të sjellë idetë e tyre për kampusin universitar të Universitetit të Durrësit.

Në konkursin ndërkombëtar të zhvilluar këtë të martë u prezantuan 5 projektet, nga ku do të zgjidhet projekti që do të nisë të zbatohet brenda këtij viti. Një nga kërkesat e protestës së 8 viteve më parë të studentëve ishte edhe ajo për të zgjidhur çështjen e strehimit, duke ndërtuar kampuse universitare. Si reflektim për këtë kërkesë, kryeministri Rama thotë se është menduar investimi për Kampusin e Ri Universitar “Aleksandër Moisiu”, në Durrës.

“Ne dëgjuam me shumë vëmendje se çfarë kërkohej mbi bazën e Paktit për Universitetin. Ndërtuam një proces, i cili solli shumë risi pozitive për studentët. Ne jemi të vetëdijshëm që sot ky proces duhet të shkojë një shkallë më tutje dhe, siç do të shihni edhe nga projektet, ne duam që t’i japim një drejtim edhe çështjes shumë të mprehtë, gjithmonë e më të mprehtë në fakt, të strehimit të studentëve gjatë periudhës së studimeve. Ndërkohë, krijimi i një zone rezidenciale për studentët bën të mundur që ata të kenë një strehim shumë më të arsyeshëm, por nga ana tjetër të socializohen dhe që zhvillimi akademik të ecë paralel edhe me zhvillimin e tyre njerëzor dhe social”.

Protesta e vitit 2018 u nis nga studentët e Universitetit të Tiranës, të cilët ende nuk e kanë kampusin e tyre, por kryeministri shpjegon arsyet dhe projektet për zhvillimet e pritshme.

“Nuk është ky kampus një zhvillim që përjashton atë tjetrin. Ne jemi edhe në një proces të harmonizimit të nevojave dhe të adresimit të tyre mes Kolegjit të Europës dhe Universitetit të Tiranës. Kolegji i Europës po ndërtohet në Tiranë dhe është një zhvillim tjetër spektakolar, i bazuar në një tjetër projekt të armatës sonë të arkitektëve ndërkombëtarë, dhe aty do të krijohet mundësia që të ketë hapësirë të konsiderueshme edhe për Universitetin e Tiranës”.

Kryeministri shpreh krenarinë e tij se ka krijuar një universitet de facto me afrimin e arkitektëve dhe studiosh prestigjioze ndërkombëtare me studiot lokale dhe arkitektët e rinj shqiptarë. Një pjesë e tyre, sipas Ramës, bëjnë punë të papaguar kur u kërkohet kontributi i tyre në projekte publike. Të njëjtën gjë Rama thotë se do të bëjnë 5 studiot finaliste, duke dhënë ide për zhvillimin e një zone lidhëse mes universitetit dhe qytetit të Durrësit.

Tv Klan

/tvklan.al