Hollywood, kryeqendra e kinematografisë amerikane, duket se ka shpëtuar nga rreziku i përpirjes nga flakët. Vatra që shpërtheu të Mërkurën në kodrat e qytetit është vënë nëm kontroll dhe urdhri i evakuimit për banorët është tërhequr.
E vështirë vijon të mbetet situata në 5 vatrat e tjera veçanërisht në atë të lagjeve Palisades dhe Eaton, dy më të mëdhatë.
Bilanci i viktimave mbetet 5, por autoritetet thonë se shumë zona janë jashtë kontrollit për shkak të nivelit të lartë të shkatërrimeve dhe bllokimit të hyrjeve nga flakët. Nuk përjashtohet mundësia që bilanci të rëndohet në orët në vijim.
Numri i personave që u evakuuan tejkaloi 180 mijë në veri të Los Angelesit. Hapësira e shkrumbuar është zgjeruar në mbi 27 mijë hekatarë. Një pjesë e mirë e më shumë se 2 mijë ndërtesave të djegura janë vila luksoze të njerëzve të famshëm të kinemasë, modës e artit, ndër të cilat e ajo e Antoni Hopkins, Eugene Levy, Billy Crystal, Diane Warren dhe Paris Hilton. Megjithatë, shtëpitë e Steven Spielberg dhe Tom Hanks janë ende të sigurta pavarësisht se flakët ishin prezent ne pronat ngjitur.
Kaosi i krijuar nga flakët po shfrytëzohet edhe nga banditët, të cilët kanë nisur të grabisin banesat luksoze të braktisura nga pronarët me urdhër evakuimi. Deri më tani janë arrestuar mbi 20 persona. Presidenti Joe Biden shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për Kaliforninë që autorizon fonde dhe burime të tjera për katastrofën. Ai anuloi një vizitë të planifikuar më parë për në Itali për shkak të situatës në Los Angeles.
Nuk mbahet mend që në historinë e Kalifornisë, zjarret të kenë shkaktuar shkatërrime të këtyre përmasave. Kryetarja e Bashkisë së Los Angelesit tha në një konferencë për shtyp se erërat me fuqi të pazakontë dhe thatësira e niveleve rekord sollën këtë tragjedi, pasoja të ngrohjes globale.
Tv Klan