Ky është momenti kur 21-vjeçari, E.K., lë në një karburant në qytetin e Peshkopisë një kuti pice, brenda së cilës ishte një pako e ngjashme me lëndët plasëse. Sipër kishte një letër ku kërkoheshin 50 mijë euro.
Paratë e kërkuara në formë gjobëvënie ndaj pronarit të pikës së karburantit, i riu kërkonte t’ia dërgonin përmes monedhave virtuale bitcoin, ndryshe ai do të shpërthente lëndën plasëse.
Por në momentin që në vendngjarje mbërritën forcat xheniere, rezultoi se pakoja ku pretendohej se kishte bombë të llojit C4 nuk përmbante lëndë plasëse brenda saj.
Pas këtij momenti, grupi i hetimit u përqendrua në identifikimin e autorit, ku kamerat e sigurisë luajtën rol kyç.
I riu, pasi ka vendosur lëndën plasëse në pikën e karburantit, është larguar me vrap për t’u rikthyer sërish në vendngjarje, kësaj here si qytetar kureshtar për atë çfarë kishte ndodhur.
Po pikërisht kjo lëvizje e tij e ka nxjerrë zbuluar, me policinë që e ka shoqëruar atë në afërsi të karburantit, mes shumë qytetarëve.
Përpara hetuesve, ai menjëherë ka pranuar autorësinë, e cila është provuar edhe falë gjetjes nga policia së rrobave të përdorura prej tij.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
