Numri i ushtarëve rusë të vrarë në luftën e Ukrainës kapërceu 50 mijë. Këtë herë mund të thuhet se bëhet fjalë për një shifër të besueshme, pasi deri më tani verifikimi i numrit të viktimave nga të dyja palët ka qenë tepër i vështirë.

Media britanike BBC tha se ka bërë të parin bilanc të viktimave në radhët e rusëve i mbështetur në përllogaritje të besueshme.

Sipas BBC, numri i viktimave në radhët e ushtarëve rusë ka kapërcyer së fundi 50 mijë.

Ky vit ishte edhe më i përgjakshëm, pasi ranë 25% më shumë ushtarë rusë krahasuar me vitin e kaluar. Në 12 muajt e fundit janë vrarë mbi 27 300 ushtarë.

BBC tha se verifikimet i ka bërë në bashkëpunim me një grup gazetarësh të pavarur të quajtur Mediazona, të cilët kanë verifikuar emrat e ushtarëve të rënë në vendet ku janë varrosur.

Shifra e BBC-së është 8 herë më e lartë se numri i viktimave që zyrtarët rusë dhanë në Shtator të 2022-shit. Në Shkurt presidenti ukrainas Volodimir Zelenski foli për 31 mijë ushtarë ukrainas të vrarë prej nisjes e luftës.

Moska dhe Kievi kanë qenë tepër hermetike në dhënien e informacioneve, për të mos ulur moralin e trupave të tyre, por edhe për të mos treguar dobësi përballë armikut, duke u lënë vend spekulimeve.

Tv Klan