Ishte ora 5 e 14 minuta e mëngjesit, kur 20-vjeçari Luis Miguel Varela Mendes, bashkë me miqtë e tij lënë ambientet e klubit të natës dhe qëndrojnë në bregdet, pranë shezlongëve.

Prokuroria e Sarandës ka dokumentuar çdo lëvizje para dhe pas vrasjes përmes kamerave të sigurisë që mbulonin vendin e ngjarjes.

Një minutë pasi i riu që u vra, bashkë me miqtë dalin jashtë, pamjet tregojnë se nga ana e parkingut pranë tyre afrohen të akuzuarit për vrasje në bashkëpunim, D.GJ., dhe S.V., ky i fundit i veshur me bluzë të bardhë.

Në këto momente, autori shihet në pamje që shtyhet me një person tjetër dhe më pas ndjek një nga turistët në drejtim të shezlongëve. Në pamjet e administruara nga Prokuroria, 29-vjeçari duket që e shtyn atë me trup dhe e rrëzon.

Kur ora shënon 5 e 17 minuta, afrohet 20-vjeçari që mbeti viktimë për të ndihmuar mikun e tij dhe shtyn të riun nga Hasi. Në ndihmë të këtij të fundit vjen miku i tij, i shpallur në kërkim.

Ata godasin të riun, i cili, duke u përpjekur të shpëtojë, hyn në det dhe del prej andej, në orën 5 e 18, ku duket i gjakosur. 2 minuta më pas, kamerat kapin dy shqiptarët teksa largohen, të dy me rroba të gjakosura.

Për ngjarjen, përballë hetuesve shqiptarë kanë dhënë shpjegime miqtë e të riut. Teksa rrëfejnë me detaje ngjarjen, ata thonë se shkak për konfliktin u bë zhurma.

“Unë i them që nuk isha unë personi që bërtisja, ishin të tjerë, por ky person më ofendoi nga nëna. Unë i them që pse e zë nënën time në gojë, unë nuk zura në gojë nënën tënde. Në këtë moment ai më kapi për fyti dhe më goditi me kokë në fytyrë dhe unë iu përgjigja duke e goditur. Unë më pas kam rënë në shezlong dhe ai po vazhdonte të më godiste. Aty erdhën dhe disa persona të tjerë dhe po na godisnin dhe shokët e mi u futën në konflikt. Luis Migueli u fut për të ndaluar ata që më godisnin”.

Përpjekjet e një prej miqve për të frenuar gjakderdhjen nuk arritën të shpëtojnë të riun.

“Gjatë konfliktit erdhën dhe persona të tjerë dhe kam parë një person të veshur me ngjyrë bezhë në të bardhë, me flokë të gjatë, gështenjë, me pak mjekër, i cili iu drejtua Tourpalit me thikë dhe më pas iu drejtua Louis Miguelit. Aty ka pasur shumë lëvizje e persona dhe nuk e kam parë momentin kur ka goditur Luis Miguel. Unë më pas i kam dhënë ndihmën e parë shokut tim, duke i vendosur një bluzë tek plaga”.

Të gjithë dëshmitarët, miqtë e viktimës, kanë identifikuar përmes fotografisë S.V., si personin që e ka goditur me thikë.

Një ditë më parë, gjykata e la atë në burg pa afat, së bashku me 2 shtetasit turq që e ndihmuan për t’u larguar.

Në qeli, për të paktën 45 ditë, do të qëndrojnë edhe kamerierët e ndaluar, ndërsa janë liruar rojet e sigurisë. Para gjykatës, të gjithë ata i mohuan akuzat.

Tv Klan

/tvklan.al