Gjatë 24 orëve të fundit në vend janë regjistruar 33 vatra zjarri, nga të cilat 6 vijojnë aktive dhe 10 mbahen nën mbikëqyrje.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, angazhimi operacional vijon në disa qarqe, me fokus të veçantë në Tiranë, Dibër, Lezhë, Shkodër dhe Durrës.

Në Malin e Dajtit vijon ndërhyrja ndaj vatrave ende aktive, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në zonën e Gojanit dhe Gjegjanit në Pukë po punohet për izolimin e vatrave aktive, ndërsa vijon ndërhyrja nga toka dhe ajri. Situata është vënë nën kontroll dhe nuk paraqitet rrezik për banesat.

Ndërsa në Dibër nuk janë shuar flakët në Ballenjë dhe Qafë të Helmës, ndërsa vatra në Bërshim mbahet nën mbikëqyrje. Vatra vijon të jetë aktive edhe në Shtuf të Mirditës.

Tv Klan

/tvklan.al