Vitet kanë ikur, rrudhat janë ravijëzuar në fytyrat e tyre por buzëqeshja dhe dashuria që ndiejnë kur shohin  njëri-tjetrin ka mbetur po aq e re. Vetëm kështu mund të përshkruhet dashuria e Hatixhesë dhe Luanit që u rrëfye në “Ka Një Mesazh Për Ty”.

Çifti u surprizua nga nipi i tyre, moderatori i programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea për 65-vjetorin e dashurisë. Në tavolinën e vendosur mes kopshtit të trëndafilave, u bashkuan Akseli dhe Ariani, djemtë e Hatixhesë dhe Luanit që jetojnë në Francë.

Në prani të tyre, është momenti që Hatixheja t’i japë mesazhin e saj Luanit.

“Të rrojmë edhe pak vite bashkë. Edhe pak. Të jemi kështu siç jemi, në radhë të parë me mendje e pastaj me këtë dashuri që ka filluar, me këtë dashuri të mbarojë. Të kemi mirë fëmijët, familjarisht”.

Ndërsa ai, me dorën që nuk ia lëshon, ia konfirmon sërish: “E dua shumë! E kam dashur shumë dhe e dua shumë”.

Për të kujtuar edhe njëherë atë që i bëri të dashuroheshin, kërcimin, Hatixheja dhe Luani vallëzojnë sërish valsin e dashurisë./tvklan.al