Thellohet në 66 numri i viktimave nga rënia gjatë ngritjes së një avioni ushtarak në Puerto Leguizamo, në jug të Kolumbisë. Avioni fluturonte me gjithsej 128 ushtarë dhe oficerë policie, ndërsa 57 persona që mbijetuan u dërguan me urgjencë në spitale. Kërkimet vijojnë për katër persona ende të zhdukur.
Mjeti i tipit “Hercules C-130” u rrëzua menjëherë pas nisjes, duke u përplasur në fundin e pistës dhe më pas me një pemë. Ky avion konsiderohej i vjetër, pasi kishte rreth 42 vite në funksion. Amerikanët ia kishin dhuruar atë ushtrisë kolumbiane në vitin 2020. Përplasja shkaktoi shpërthimin e disa mjeteve luftarake që ndodheshin në bord, duke vështirësuar misionin e shpëtimit.
Presidenti Gustavo Petro kërkoi shkarkimin e zyrtarëve që kanë zvarritur modernizimin e ushtrisë, duke e cilësuar vjetërsinë e mjeteve si kërcënim për jetën e ushtarëve. Kompania prodhuese “Lockheed Martin” do të asistojë në hetime, ndërkohë që ngjarja ka rikthyer debatin mbi sigurinë ajrore pas një aksidenti të ngjashëm të ndodhur pak kohë më parë në Bolivi.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 