Shqyrtimi i projektbuxhetit i vitit 2027 me Ministrinë e Kulturës, Turizmit dhe Sportit u shoqërua me debate mes kryetares së komisionit, Ina Zhupa dhe ministrit Blendi Gonxhja për protestat që zhvillohen në Tiranë.

Ministri Blendi Gonxhja u shpreh se protestuesit po bllokojnë aktivitetet kulturore që mbahen në kryeqytet.

Pas debateve për situatën e protestave, Zhupa braktisi drejtimin e mbledhjes së komisionit, duke mos vijuar ndjekjen e relacionit prezantues të projektbuxhetit për Kulturën dhe Turizmin.

Ndërkohë, në prezantimin e tij, ministri njoftoi se projektbuxheti për vitin 2027 për ministrinë që ai drejton është 7.65 miliard lekë në një rritje prej 3.5% me një vit më parë.

Sipas tij, objektivi për sektorin e turizmit është kthimi i Shqipërisë në një destinacion gjithëvjetor.

Ndërkohë paketa fiskale që shoqëron buxhetin e vitit të ardhshëm parashikon ndër të tjera edhe rritjen e tvsh nga 6 në 10 për qind shërbimet e akomodimit në hotele dhe strukturat e tjera turistike.

Kjo ka ngjallur reagimin e ashpër të shoqatave të sektorit të cilat kanë theksuar se me këtë nivel tvsh do të dëmtohet konkurrueshmëria turistike e vendit tonë në rajon.

/tvklan.al