26 gusht 2026 – Mjekët dhe infermierët e punës në administratën publike, do të përfitojnë kredi 0% interes për blerjen e një shtëpie. Kjo nismë është hapur në kuadër të programit për strehimin social.

Ministria e Shëndetësisë bëri sot thirrjen për hapjen e aplikimeve nesër më 27 gusht e që do të zgjasin deri më 25 shtator 2026 për ofrimin e 70 kredive.

Për të përfituar nga programi, aplikantët duhet të plotësojnë kriteret e përcaktuara në ligjin “Për strehimin social” dhe të jenë të punësuar në administratën publike.

Ndër kriteret kryesore është që aplikanti të mos ketë banesë në pronësi ose në proces legalizimi, ose të ketë një banesë që nuk plotëson normat e strehimit. Gjithashtu, aplikanti nuk duhet të zotërojë pasuri të paluajtshme apo të luajtshme me vlerë mbi gjysmën e vlerës së banesës që synon të blejë dhe nuk duhet të jetë përfitues nga programe të tjera të strehimit social.

Aplikimi bëhet online përmes platformës e-Albania, brenda periudhës së përcaktuar. Programi synon të ofrojë mbështetje për profesionistët e shëndetësisë në sigurimin e një banese, përmes financimit me 0% interes.

Postimi i Ministrisë së Shëndetësisë

Një tjetër mbështetje konkrete për profesionistët e shëndetësisë që duan të blejnë banesën e tyre.

Aplikimet hapen më 27 gusht 2026 dhe përfundojnë më 25 shtator 2026.

Përmes kësaj thirrjeje, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ofron 70 kredi me 0% interes për blerjen e banesës nga mjekë dhe infermierë.

Kriteret kryesore:

Të jeni i punësuar në administratën publike, sipas përcaktimeve të ligjit “Për strehimin social”;

Të mos keni banesë në pronësi ose në proces legalizimi, ose të keni një banesë nën normat e strehimit;

Të mos zotëroni pasuri të paluajtshme apo të luajtshme me vlerë mbi gjysmën e vlerës së banesës që do të blihet me kredi të lehtësuar;

Të mos jeni përfitues nga programe të tjera të strehimit social.

/tvklan.al