15 korriku i vitit të kaluar do të ndryshonte përgjithmonë jetën e Esmës 2-vjeçare. Rubrika “E Diela Ndryshe” na njeh me rrëfimin e Mirelës, nënës së 4 fëmijëve që tregon sesi një aksident fatkeq në shtëpi, përfshiu vajzën mes flakëve duke e çuar në kufijtë e jetës dhe shpërfytyruar.

Në spital, mjekët ua hoqën të gjitha shpresat dhe e vetmja që ngeli ishte “Fundjavë Ndryshe”. Familja kontaktoi fondacionin që i siguroi se do të bënin gjithçka për t’i ndihmuar. Prapaskenat se ç’ndodhte pas dhomës së izoluar me xham ku ndodhej 2-vjeçarja, Arbër Hajdari i rrëfen para moderatorit të së “Dielës Shqiptare”në Tv Klan, Ardit Gjebreas, dhe Mirelës.

Edhe vetë Arbrit, mjekët i kishin thënë se pëpjekja do të ishte e kotë duke e vendosur në një pozitë delikate. Njëkohësisht, mjekët në Itali jepnin një përqindje të vogël sigurie, por me rrezikshmëri tejet të lartë, duke filluar që nga transporti. Kostoja s’ishte e vogël. Gjendja e Esmës ishte ekstremisht kritike, por Arbri vendosi t’i besonte një instinkti që i thoshte se duhet ta çonte deri në fund. Aty nisi gara me kohën.

Arbër Hajdari: Rasti i Esmës ka qenë fatal. Në momentin që kemi marrë vesh lajmin, jemi informuar që ka ndodhur një ngjarje e tillë, kam shkuar në spital, përmes një xhami kam parë vajzën e cila ishte komplet e izoluar dhe mjekët thanë që është e kotë edhe të përpiqesh tanimë.

Ardit Gjebrea: Pra nuk dhanë asnjë shpresë?

Arbër Hajdari: Nuk dhanë asnjë shpresë, fëmija është totalisht i djegur, kishte rënë në gjendje koma disa orë pasi kishte ardhur në spital dhe ka qenë një moment shumë i vështirë sepse nuk dija si t’i thoja Mirelës në një krah dhe në krahun tjetër duke u përpjekur për të sjellë informacion të gjendjes së saj reale me ekipin mjekësor në Itali.

Ardit Gjebrea: Ah, pse, ju u lidhët me Italinë pastaj?

Arbër Hajdari: Patjetër. Ne u konsultuam me mjekët e specializuar në Itali.  Edhe për ata rasti ishte shumë i vështirë, por më i vështirë për ta do të ishte transportimi i vajzës nga Shqipëria drejt Italisë.

Ardit Gjebrea: Po mjekët italianë të dhanë shpresa?

Arbër Hajdari: Shumë pak, një përqindje shumë e pakët. Ata thanë që 90%, rasti nuk do t’ia dalë dot.

Ardit Gjebrea: Edhe ata?

Arbër Hajdari: Edhe ata.

Ardit Gjebrea: Ndërsa në Shqipëri fare.

Arbër Hajdari: Në Shqipëri, për hir të së vërtetës, Mirela, ata kishin bërë gati kartelën e vdekjes dhe unë e kam përmbajtur veten shumë në atë kohë që te ti mos të të përcjellim asnjë nga këto mesazhe përveç atij të shpresës dhe për të të ndenjur afër, por ishin të bindur që gjithçka ka mbaruar. Ka qenë një operacion i jashtëzakonshëm, gati 24 orë vetëm  pjesa operative sesi do të bëhej i mundur transportimi i vajzës nga Shqipëria me një avion sanitar pasi parametrat jetësorë ishin në gjendje kritike. Djegia ishte masive, ishte gati 75% e trupit e djegur, kryesisht në kokë dhe mjekët në Itali nuk donin ta merrnin këtë risk përsipër dhe gjatë gjithë kësaj kohe, Mirelës ne i komunikonim që rri e qetë se ne do ta dërgojmë jashtë vendit, ndërkohë që nuk kishim asgjë të sigurt, kishim vetëm dëshirën dhe kemi vijuar një mori diskutimesh në Itali derisa në fund filluam t’i luteshim që ju lutem, edhe nëse ka 1% shpresë për të  jetuar, le ta bëjmë këtë përpjekje. Ata na kujtonin gjatë bisedave tona që shifrat do të jenë goxha të larta për këtë rast për shkak të transportit, trajtimi i gjatë i fëmijës i cili ndoshta nuk do të sjellë asnjë lloj rezultati, do të ketë kosto të lartë. Ishte një risk i madh që ne e kishim vendosur ta merrnim përsipër.

Ardit Gjebrea: Transporti ishte i vështirë?

Arbër Hajdari: Ishte shumë i vështirë Ardit, menjëherë kemi siguruar një avion spitalor pasi dhe trafiku ajror ishte shumë  i ngarkuar. Është bërë një koordinim mes spitalit në Shqipëri, spitalit në Itali, ekipit mjekësor të avionit sanitar duke marrë parametrat e vajzës dhe duke i përcjellë te  njëri-tjetri. Kemi shoqëruar mjekët dhe pajisjet mjekësore te avioni nga aeroporti i Tiranës deri në QSUT në një kohë rekord në shoqërimin e policisë për të fituar edhe 1 minutë. Edhe 1 minutë ishte e vlefshme për jetën e Esmës. Kemi mbërrritur në QSUNT dhe vetëm koha për të kaluar Esmën nga një shtrat te shtrati ku do të  transportohej ishte 6 orë sepse gjendja e saj ishte shumë kritike dhe një gabim sado i vogël nëse do të ndodhte gjatë lëvizjes së aparaturave, Esma do të ndërronte jetë në sekondë.

Gjatë këtyre orëve kritike, vogëlushja ishte në gjendje koma dhe nën ndikimin e medikamenteve të forta për të shmangur dhimbjet e papërballueshme nëse zgjohej. Vetëm për ta sistemuar në avion, u desh edhe një orë e gjysmë. Arbër Hajdari kujton forcën e Mirelës për ta përballuar situatën dhe mos ta lëshuar veten. Në avion mund të ishte i pranishëm vetëm njëri nga  prindërit dhe këtë detyrë e mori Mirela./tvklan.al

/tvklan.al