7 nëntor 2026 – Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Polinomi 2”, në kuadër të hetimeve për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

Pas katër muajsh hetime, në pranga kanë rënë dy vëllezër, 49 dhe 57 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim djali 24-vjeçar i njërit prej tyre. Të tre dyshohen si pjesëtarë të grupit kriminal të goditur disa ditë më parë gjatë operacionit “Polinomi”.

Gjatë kontrolleve në banesat e tyre, policia ka sekuestruar rreth 77 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa. Konkretisht, 10 kilogramë u gjetën në banesën e 49-vjeçarit, ndërsa 66.8 kilogramë në banesën e vëllait të tij.

Gjatë kontrollit të banesës së këtij të fundit, u gjetën gjithashtu një pistoletë me fishekë, një pushkë pneumatike, municion luftarak për armë zjarri dhe gjahu, aksesorë armësh, një shkop metalik, dy radio marrëse-dhënëse, një peshore elektronike dhe pajisje të tjera optike.

Policia vijon kërkimet për kapjen e 24-vjeçarit, si dhe hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.


/tvklan.al