Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, kryebashkiaku Erion Veliaj zgjodhi që së bashku me gra sipërmarrëse të Tiranës të kontribuojnë për qytetin duke mbjellë pemë, si një mënyrë për të përçuar mesazhin e rëndësishëm se shtimi i gjelbërimit jo vetëm përmirëson cilësinë e jetës, por siguron një mjedis të qëndrueshëm edhe për fëmijët.
“8 Marsi është një kujtesë se beteja nuk ka mbaruar, mund të jenë fituar disa beteja të vogla, por beteja e madhe, ajo për emancipimin, vazhdon përditë. Sot e vlerësoj jashtë mase faktin që na u bashkuat me mbjelljen e pemëve, si një mënyrë për të lënë një shenjë në qytet, dhe e vlerësoj faktin që janë të gjitha vajza dhe gra sipërmarrëse në një vend të vështirë për sipërmarrjen, sidomos kur je grua dhe kur nuk ke mbështetjen e muskujve dhe të atij të fortit nga pas. Por, kjo nuk është më Shqipëria e viteve ’90-të, ka ndryshuar”, tha Veliaj.
Sipas Veliajt, nëse çdokush kontribuon me mënyrën e tij, qyteti do të bëhet më i mirë.
“Gjërat janë shumë më ndryshe seç kanë qenë, por s’jemi ende aty ku duhet. Nëse kjo përpjekje bëhet e përditshme dhe jo vetëm një herë në vit, atëherë vërtet mund të shohim arritje më të mëdha, jo vetëm në emancipim, në përfaqësimin politik apo biznes, por në problemet më të mëdha si dhuna, që është kaq prezente. Ne më shumë sesa të apelojmë për emancipimin e grave dhe vajzave, duhet të apelojmë për emancipimin e burrave dhe çunave. Ky është një moment për të reflektuar se çfarë burrash dhe djemsh rriten në këtë shoqëri”, tha Veliaj.
Teksa apeloi që mbjelljes së pemëve t’i bashkohen edhe qytetarët, Kryebashkiaku Veliaj tha se për të patur një shoqëri pa dhunë, edukimi duhet të kultivohet që në moshë të vogël në kopshte e më pas në shkolla.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 