Teatri i Korçës u ngjit në skenën e Koko Fest me komedinë “8 persona plus”, një vepër e dramaturgut dhe aktorit të njohur Ferdinant Radi.

Për regjisoren Andeta Radi, kjo shfaqje kishte një emocion të veçantë, pasi për herë të parë solli në skenë veprën e babait të saj. Me sfidën për t’i mbetur besnike veprës dhe për ta përshtatur për aktorët e Teatrit të Korçës, Radi arriti të sillte një komedi me karaktere të spikatura që u duartrokitën nga publiku.

Veç aktorëve të rinj në skenë u ngjitën edhe emra të njohur të artit. Për vajzën tjetër të autorit, Rozana Radi, vënia në skenë e kësaj vepre është një përgjegjësi për vazhdimin e traditës së familjes Radi. Për drejtuesen e Teatrit të Korçës, vënia në skenë e një vepre të tillë është një sfidë.

Festivali i komedisë Koko Fest, ku marrin pjesë 9 trupa nga vendi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, do të mbyllet në fundjavë, ku do të vlerësohen me çmime edhe shfaqja dhe aktorët më të mirë të këtij edicioni.

Klan News

/tvklan.al