Në 24 orët e fundit u raportuan 35 vatra zjarri në vend, nga të cilat 8 janë ende aktive.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në Dajt vijon operacioni për shuarjen e zjarrit mbi tunelet e Qafë-Mollës. Forcave të emergjencës u janë bashkuar dhe rreth 50 efektivë të ushtrisë dhe dy helikopterë.
Në këtë zonë nuk paraqitet rrezik për banesat. Në Priskë, Farkë dhe zonat përreth, ndërhyrja e 30 forcave zjarrfikëse me 6 mjete ka bërë të mundur vendosjen e zjarrit nën kontroll.
Në Gurë-Lurë të Dibrës, hapja e korridoreve me mjete dhe forca ka penguar përparimin e zjarrit drejt banesave. Këtë të shtunë, operacioni vijon me forcat në terren, të mbështetura nga 50 efektivë të FA-së, 2 avionë “Air Tractor” dhe 1 autobot uji.
Në Krujë vijon puna në vatrat e Abazes dhe Zidollit. Ndërhyrjet e forcave nga toka kanë ndihmuar në normalizimin e situatës.
Në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 533 forca operacionale dhe 39 automjete zjarrfikëse, ndërsa në mbështetje janë angazhuar 186 efektivë të Forcave të Armatosura, 4 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Në Lezhë, Elbasan dhe Shkodër vijon puna për izolimin dhe shuarjen e vatrave të mbetura në Lufaj, Dardhë dhe pyjet e Tërbunit. Ndërkohë, një zhvillim pozitiv është regjistruar në Përmet, Trojë, Qukës dhe Paulesh, ku vatrat janë shuar plotësisht, si rezultat i punës së forcave operacionale.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 