Më 17 maj 1945 nisi rrugëtimi dhe themelimi i një tradite të gjatë kulturore skenike dhe formimi i plejadës së artë të aktorëve shqiptarë. Ky vit shënon 80 vite nga krijimi i Teatrit Kombëtar, si i pari teatër profesionist i vendit.
E në këtë përvjetor jubilar, vetë institucioni zgjedh ta festojë mes emrave, yjeve që kanë dhënë kontribut në formimin e Teatrit Shqiptar.
Sot pas 80 vitesh, për aktorët ka shumë për të festuar, por po aq shumë dhe për të reflektuar për problematika dhe vijimësinë e skenës teatrore.
“Për të gjithë ka vlerën shpirtërore, emocionale të vetën, duke filluar nga gjenerata e parë, që me aq sinqeritet, brishtësi ndërtuan dhe bërthamën. Me problemet që ka pasur vitet e para 90-s, me problemet që prap ka…”, tha aktori Ndriçim Xhepa.
“Kjo festë që ne po organizojmë sot, i bën mirë, për t’u thënë të gjithëve që teatri është i rëndësishëm”, u shpreh aktori Artan Imami.
“80 vite me një punë të jashtëzakonshme. Definitivisht, artistët shqiptarë kanë punuar në kushte shumë të vështira. Mendoj që teatri shqiptar ka nevojë për një rimëkëmbje shumë të fortë”, tha aktori Gentian Zenelaj.
“Falenderoj të gjithë aktorët me të cilët kam bashkëpunuar, ata që nuk janë më në këtë jetë dhe ata që jetojnë akoma sot”, u shpreh aktorja Yllka Mujo.
Festa e themelimit të teatrit nuk mund të kuptohet pa arkivën, fotografitë, skenarët, skicat e kostumografisë, që Tetari Kombëtar i ekspozon për publikun.
Në këto foto të nxjerra nga arkiva shihet shfaqja e parë e luajtur “Topuzi”, në maj të 1945 dhe një fragment i saj u interpretua mbrëmjen e së mërkurës për publikun special, nën regjinë e Driada Dervishit.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacioni, Blendi Gonxhja, artikuloi një ndjesë publike për artistët, për mungesën e tij në teatër dhe kjo për shkak të fushatës. Por zotohet se do të adresojë të gjitha problematikat, që skena teatrore të ketë progres.
“Ne tani po njihemi me investime shumë të rëndësishme, me modernizim shumë të rëndësishëm të infrastrukturës kulturore, të investimeve të reja që ne po kryejmë”, tha ministri Gonxhja.
E në këtë parakalim fotografish, nga emrat legjendarë të skenës, tek talentet e reja që e mbajnë gjallë shpirtin e tij, ky përvjetor është më shumë se një datë, është një dëshmi e qëndrueshmërisë së artit përballë kohës dhe sfidave.
Tv Klan